| Albanian
BOTA
3 MINUTA LEXIMI
Irani akuzon “palët e treta” për shkëputjen e diplomacisë me Shqipërinë
Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanaani e cilësoi këtë veprim të qeverisë shqiptare si “shkurtërpamje në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Irani akuzon “palët e treta” për shkëputjen e diplomacisë me Shqipërinë
Më 15 korrik të këtij viti infrastruktura digjitale e Shqipërisë ishte shënjestër e një sulmi kibernetik.     Foto: AA / AA

Irani e quajti si “të pamenduar” vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, duke mohuar përfshirjen në sulmin kibernetik të korrikut ndaj infrastrukturës digjitale të qeverisë shqiptare.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanaani e cilësoi këtë veprim të qeverisë shqiptare si “shkurtërpamje në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Tirana zyrtare dje vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe urdhëroi diplomatët dhe stafin e ambasadës iraniane të largohen nga vendi brenda 24 orëve.

Kryeministri Edi Rama tha se vendimi për të ndërprerë marrëdhëniet “me efekt të menjëhershëm” u mor pas një hetimi për një sulm të dyshuar kibernetik në korrik, duke fajësuar Iranin.

Rama shtoi se kjo masë ekstreme, "aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar", sipas tij është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.

Në korrik të këtij viti, sipas autoriteteve shqiptare, ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku dyshohej të ishte i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Rama tha se hetimet kanë zbuluar se sulmi “është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

SHBA-ja fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin kibernetik dhe operacionet e hakimit të 15 korrikut kundër Shqipërisë.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson, tha në një deklaratë sot se do të ndërmarrin “veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së”.

Kanaani, megjithatë, i hodhi poshtë akuzat si “të pabaza”, duke thënë se Teherani ka “qëndrime parimore” në fushën e hapësirës kibernetike dhe vetë vendi ka qenë “objektiv” i sulmeve kibernetike.

Ai ia atribuoi akuzat e ngritura nga autoritetet shqiptare kundër Iranit “palëve të treta”, duke iu referuar në mënyrë të zhdrejtë SHBA-së dhe Izraelit.

Zëdhënësi iranian tha se deklarata e shpejtë nga SHBA-ja dhe raportimi në mediat izraelite treguan “ekzistencën e një plani të paraprojektuar për të krijuar një atmosferë politike kundër Iranit”.

Kanaani iu referua gjithashtu Shqipërisë si vend që strehon grupin disident anti-iranian të quajtur Muxhahideen e Khalq (MEK), të cilin Teherani e akuzon për kryerjen e akteve terroriste brenda Iranit.

BURIMI:AA