Gjermania, Franca dhe Polonia thirrje për liberalizimin e vizave në Kosovë

Në deklaratën e përbashkët të tre shteteve është mbështetur dialogu Kosovë-Serbi dhe përparimi i arritur në procesin e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

By Mensur Krasniqi
Deklaratë e përbashkët e Ministrave për Çështjet Evropiane të “Trekëndëshit të Weimarit”.     Foto: AA / AA

Ministrat për Çështjet Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, në një deklaratë të përbashkët kanë mbështetur plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja.

Ata madje kanë bërë thirrje për progres lidhur me liberalizimin e vizave.

“Theksojnë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në deklaratëm e përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë.

Po ashtu Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim proceset e reformave në rajon, ku përparimi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, është i një rëndësie të veçantë”, thuhet më tutje në deklaratë.

Ndër të tjerash në deklaratën e përbashkët tre shtetet shprehen të shqetësuar për krizën politike në Bosnjë e Hercegovinë ku bëjnë thirrje që: “të gjitha palët të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira më 2 tetor 2022”.