| Albanian
RAJONI
4 MINUTA LEXIMI
Nxënësit në Kosovë tri javë jashtë bankave shkollore!
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës për ndërprerjen e grevës dhe plotësimin e kërkesës për shtesën prej 100 euro.
Nxënësit në Kosovë tri javë jashtë bankave shkollore!
Më 25 gusht të këtij viti filloi greva e punonjësve në arsim në Kosovë.     Foto: AA / AA

Viti shkollor për nxënësit në Kosovë ende nuk ka filluar. Bankat e shkollave fillore dhe të mesme si rrallë, që nga paslufta, janë të zbrazura. Greva e nisur nga SBAShK-u më 25 gusht ende është në fuqi. Pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit sot fillon java e tretë e vitit shkollor, por jo edhe në Kosovë. Drejtuesit e SBAShK-ut dhe të Qeverisë gjatë javëve të kaluara kanë zhvilluar takime, mirëpo ato nuk ka rezultuar me ndonjë marrëveshje për ndërprerjen e grevës.

Ndër kërkesat kryesore të SBAShK-ut është rritja e pagës për 100 euro deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave. Por, sipas Qeverisë së Kosovës një kërkesë e tillë është e paarsyeshme. Aktualisht pagat e mësimdhënësve në Kosovë fillojnë nga 530 euro në institucionet parashkollore e deri në 620 euro në shkollat e mesme të larta.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, së fundmi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës vazhdon të barrikadohet dhe vazhdon të ketë qëndrim të ngurtë karshi kërkesave të tyre.

“Ne vazhdimisht jemi në takime me anëtarësinë tonë dhe kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve. Pasi Qeveria nuk ka thënë asgjë të re, grevistët janë në të njëjtin pozicion, fatkeqësisht. Ne nuk jemi barrikaduar fare. Këto kërkesa i kemi tash e 9 muaj, kurse Qeveria, përveç deklaratave ironike, nuk ka bërë asnjë milimetër angazhim tutje për t’i realizuar kërkesat tona”, deklaroi Jasharaj.

Greva aktuale në Kosovës, e cila është futur në javën e tretë të saj, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka humbur çdo kuptim. Pavarësisht vendimit të SBAShK-ut, se greva vazhdon, ajo u ka bërë thirrje mësimdhënësve t’u kthehen bankave shkollore.

“Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit, përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe ka refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundmi edhe të Avokatit të Popullit”, shkroi Nagavci në rrjetin social Facebook.

Sipas ministres, me Projekligjin e ri për Paga, punëtorët e arsimit për herë të parë po trajtohen dinjitetshëm me ligj dhe do të kenë koeficientin më të lartë se ç’e kanë pasur ndonjëherë.

Për më tepër, Zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës ka konstatuar se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar.

“Fëmijëve po u cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin”, thuhet në komunikatën e fundit të Avokatit të Popullit.

Pavarësisht thirrjes së Avokatit të Popullit që SBAShK-u dhe Qeveria të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ndryshe, si pasojë e grevës, filloristët në Kosovë ende nuk e kanë shfletuar Abetaren e Përbashkët të promovuar në fillimin e vitit shkollor nga autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Për dallim nga abetarja e mëparshme, kjo Abetare është përgatitur edhe në versionin digjital.

BURIMI:TRT Balkan