| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rama: Shqipëria renditet e 18-ta në botë për sigurinë kibernetike
Me këtë arritje, Shqipëria renditet në mesin e 20 vendeve më të sigurta në botë në fushën e mbrojtjes kibernetike, duke u pozicionuar si një histori suksesi në rajon.
Rama: Shqipëria renditet e 18-ta në botë për sigurinë kibernetike
Rama: Shqipëria renditet e 18-ta në botë për sigurinë kibernetike / ATA
12 Tetor 2025

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria renditur në vendin e 18-të në botë për siguri kibernetike, sipas Cyber National Security Index (NCSI).

Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama theksoi se Shqipëria ka arritur 85 pikë, duke u ngjitur me 36 vende, krahasuar me vitin 2023, kur renditej në vendin e 54.

“Ky rezultat përfaqëson një ngritje me 36 vende krahasuar me vitin 2023, kur vendi ynë ishte në vendin e 54 me 62.34 pikë. Brenda dy vitesh kemi kaluar dhjetra shtete të mëdha dhe me traditë në këtë fushë duke u shndërruar në një nga historitë më të jashtëzakonshme të suksesit në sigurinë kibernetike globale, si rezultat i një reagimi 360 gradë ndaj një sulmi jashtëzakonisht të rrezikshëm kibernetik që u bë mbi infrastrukturën digjitale nga një shtet i madh dhe i njohur për terrorizimin kibernetik”, theksoi Rama.

Sipas tij, ky rezultat dëshmon për transformimin e infrastrukturës digjitale të vendit dhe përmirësimin e kapaciteteve institucionale në menaxhimin e incidenteve kibernetike.

Cyber National Security Index është një indeks ndërkombëtar që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet dhe për të menaxhuar incidentet kibernetike. Ai zhvillohet nga E-Governance Academy (EGA) në Estoni dhe përfshin 112 shtete, të cilat vlerësohen sipas mbi 40 indikatorëve, që mbulojnë: kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, aftësitë e reagimit ndaj krizave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Me këtë arritje, Shqipëria renditet në mesin e 20 vendeve më të sigurta në botë në fushën e mbrojtjes kibernetike, duke u pozicionuar si një histori suksesi në rajon.

BURIMI:ATA