Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë informacione për çështjen e sigurisë

Anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë realizuan takime me përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë.

By Omer Xhaferi
Siguria kibernetike temë diskutimi mes Shqipërisë dhe Kosovës.      Foto: AA / AA

Një delegacion i Kuvendit të Kosovës i përbërë nga anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka realizuar një vizitë në Shqipëri, duke u takuar me drejtues dhe përfaqësues të organeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Delegacioni nga Kosova është takuar me përfaqësuesit e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, ku në fokus të diskutimeve të tyre ishin çështjet e bashkëpunimit mes dy komisioneve, çështjet e sigurisë dhe të tjera.

Gjatë fjalës së tij në takim, kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, Nasip Naço, theksoi se çështjet e sigurisë kërkojnë bashkëpunim dhe bashkëveprim të mëtejshëm, sepse siç u shpreh ai sfidat që duhet të punojmë së bashku janë të mëdha.

Naço theksoi siguria kibernetike është e rëndësishme për shkak të kushteve që po kalojnë vendet.

"Të gjithë jemi në dijeni të sulmeve kibernetike në rajonin tonë, preh e të cilave ka rënë dhe Shqipëria. Këtu duhet të jemi akoma edhe më të fokusuar dhe më vigjilentë për të rritur bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy parlamenteve dhe dy komisioneve parlamentare, për të shkëmbyer eksperienca dhe informacione me qëllim përballimin e sfidave të përbashkëta veçanërisht në fushën e sigurisë", është shprehur Naço.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, gjatë fjalës së saj tha se bashkëpunimi ynë në të gjitha fushat ka qenë shumë korrekt , shumë konstruktiv dhe ashtu siç duhet të jetë.

"Të gjithë bashkë njëzëri jemi dakord që bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë dhe të inteligjencës duhet të thellohet edhe më tutje. Kur kemi të bëjmë me punën e sigurisë së vendit dhe shërbimit inteligjent tek ne nuk ka ndasi pozitë-opozitë, sepse siguria e vendit i takon sa opozitës aq edhe opozitës", është shprehur Musliu.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të realizojë takime edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera të Shqipërisë.