Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, sulmoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) të hënën vonë dhe u zotua të vazhdojë përshkallëzimin kundër palestinezëve, pasi raportet thanë se gjykata po shqyrton lëshimin e një urdhërarresti ndërkombëtar kundër tij.
Më herët të hënën, faqja britanike e lajmeve Middle East Eye raportoi se një kërkesë ishte paraqitur në gjykatë duke kërkuar urdhërarreste të vulosur për Ben-Gvir dhe ministrin izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Media nuk identifikoi se kush e paraqiti kërkesën, dhe as Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe as qeveria izraelite nuk kanë lëshuar një koment zyrtar deri më tani.
"Nuk kam frikë dhe as nuk dekurajohem. Asnjë urdhër nga Haga nuk do të më pengojë të vazhdoj të udhëheq një politikë sulmuese kundër terroristëve", tha Ben-Gvir në një deklaratë.
"Më vjen keq që i zhgënjej ata 'kërkues të drejtësisë', nuk do të kërkoj falje, nuk do të mbyll sytë dhe nuk do të ndalem", shtoi ai.
Grupet palestineze dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje gjithnjë e më shumë për një urdhër arresti kundër Ben-Gvir, duke përmendur vërejtjet e tij të përsëritura nxitëse kundër të burgosurve palestinezë dhe shtytjen e tij për legjislacion në Knesset (Parlamenti i Izraelit), për të ekzekutuar të burgosurit.
Gjatë luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, Ben-Gvir nxiti vazhdimisht dhunë kundër palestinezëve në enklavë dhe mbështeti thirrjet për zhvendosjen e tyre me forcë.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër për arrestim për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
I mbështetur nga SHBA-ja, Izraeli nisi një luftë në Gaza më 8 tetor 2023. Ofensiva ka vrarë më shumë se 72.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 172.000 të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, ndërsa ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës civile.
Që atëherë, sulmet e ushtrisë izraelite dhe të okupuesve në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë vrarë 1.162 palestinezë, kanë plagosur rreth 12.245 të tjerë dhe kanë çuar në gati 23.000 arrestime, sipas shifrave zyrtare palestineze.


















