Kurti: Demonstrimet e ushtrisë serbe pranë kufirit janë provokim i hapur ndaj Kosovës

Sipas Kurtit, një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla dhe qendra të mjekësisë përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t'i frikësuar banorët, por edhe provokim të hapur ndaj Kosovës.

By
Kurti: Demonstrimet e ushtrisë serbe pranë kufirit janë provokim i hapur ndaj Kosovës / AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj "demonstrimit të pajustifikueshëm ushtarak" të Serbisë me helikopterë dhe parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në Komunën e Bujanovcit pranë kufirit me Kosovën.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla dhe qendra të mjekësisë përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t'i frikësuar banorët atje por edhe provokim të hapur ndaj shtetit të pavarur, Republikës së Kosovës.

"Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaqevë nga njësia e brigadës 63 të parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit", tha Kurti.

Ai tha se kjo shfaqje bëhet edhe më e rrezikshme kur kujtohet që ajo ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelin Milan Radoiçiq të cilët organizuan sulmin e Banjskës ku u vra polici kosovar Afrim Bunjaku.

"Këto lëvizje ushtarake, të kombinuara me retorikën nxitëse të presidentit Vuçiq se Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci-Shqipëri-Kosovë si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po e përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm", tha Kurti.

Ai tha se këto veprime të Serbisë tregojnë edhe pafuqinë e tyre, për shkak se në Kosovë nuk ka më struktura ilegale që mund ta cenojnë vendin dhe tani "sillen e pështillen" rreth kufirit me Kosovën duke u përpjekur ta demonstrojnë forcën.

Kurti tha se kjo është koha e fundit që bota demokratike të dënojë veprimet e tilla të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.