Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina (trotinetë elektrike) në Shqipëri mbetet në fuqi dhe se nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm, njoftoi ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu.
Ministrja bëri me dije se Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.
Koçiu shprehu mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila sipas saj synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve.
Sipas saj, të dhënat zyrtare tregojnë një efekt pozitiv të ndalimit.
“Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj”, tha ministrja.
Mes të tjerash, ajo theksoi se situata po vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për ta përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke e vendosur në qendër sigurinë dhe jetën e çdo qytetari”, përfundoi ajo.
Ndryshe, ky reagim i ministres erdhi pas raportimeve të mediave se është rikthyer qarkullimi i monopatinave në qytet.

























