Negociatat e ardhshme në Gjenevë për Ukrainën do të mbulojnë një gamë më të gjerë temash krahasuar me raundet e mëparshme në Abu Dhabi, përfshirë çështjet kryesore që lidhen me territoret, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov tha se diskutimi i këtyre çështjeve kërkon praninë e kreut të delegacionit rus, i cili mungonte në bisedimet e zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Këtë herë synohet të diskutohet një spektër më i gjerë pyetjesh, përfshirë çështjet kryesore që kanë të bëjnë me territoret dhe tema të tjera që lidhen me kërkesat tona. Për këtë na duhet prania e kryenegociatorit, përkatësisht Vlladimir Medinsky”, tha ai.
Sipas Peskovit, delegacioni rus për bisedimet në Gjenevë do të zgjerohet. Zëvendësministri i Jashtëm Mikhail Galuzin dhe shefi i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm, Igor Kostyukov, i janë bashkuar ekipit negociues.
“Delegacioni me të vërtetë do të zgjerohet këtë herë. Përveç Medinskyt, do të jetë edhe zëvendësministri i Jashtëm Mikhail Galuzin dhe zyrtarë të tjerë”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit.
I pyetur për mungesën e Medinskyt në raundet e mëparshme në Abu Dhabi, Peskov u shpreh se kjo ndodhi “sepse ato u përqendruan posaçërisht në çështjet e sigurisë”.
Ai konfirmoi se Vlladimir Medinsky vazhdon ta kryesojë delegacionin negociues rus për Ukrainën.
Po ashtu, i dërguari presidencial rus Kirill Dmitriev do të marrë pjesë në negociatat në Gjenevë, duke punuar veçmas në kuadër të një grupi bashkëpunimi ekonomik me ShBA-në, sipas Peskovit.
Raundi i parë i konsultimeve trepalëshe për sigurinë midis Rusisë, Ukrainës dhe ShBA-së u mbajt më 23-24 janar në Abu Dhabi, ndërsa raundi i dytë u zhvillua në të njëjtin vend më 4-5 shkurt.
















