Rusia do të diskutojë çështjet territoriale me Ukrainën në negociatat në Gjenevë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se negociatat do të përfshijnë një gamë më të gjerë temash se raundet në Abu Dhabi, përfshirë çështjet territoriale kyç.

By
Rusia do të diskutojë çështjet territoriale me Ukrainën në negociatat në Gjenevë / Reuters

Negociatat e ardhshme në Gjenevë për Ukrainën do të mbulojnë një gamë më të gjerë temash krahasuar me raundet e mëparshme në Abu Dhabi, përfshirë çështjet kryesore që lidhen me territoret, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov tha se diskutimi i këtyre çështjeve kërkon praninë e kreut të delegacionit rus, i cili mungonte në bisedimet e zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Këtë herë synohet të diskutohet një spektër më i gjerë pyetjesh, përfshirë çështjet kryesore që kanë të bëjnë me territoret dhe tema të tjera që lidhen me kërkesat tona. Për këtë na duhet prania e kryenegociatorit, përkatësisht Vlladimir Medinsky”, tha ai.

Sipas Peskovit, delegacioni rus për bisedimet në Gjenevë do të zgjerohet. Zëvendësministri i Jashtëm Mikhail Galuzin dhe shefi i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm, Igor Kostyukov, i janë bashkuar ekipit negociues.

“Delegacioni me të vërtetë do të zgjerohet këtë herë. Përveç Medinskyt, do të jetë edhe zëvendësministri i Jashtëm Mikhail Galuzin dhe zyrtarë të tjerë”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit.

I pyetur për mungesën e Medinskyt në raundet e mëparshme në Abu Dhabi, Peskov u shpreh se kjo ndodhi “sepse ato u përqendruan posaçërisht në çështjet e sigurisë”.

Ai konfirmoi se Vlladimir Medinsky vazhdon ta kryesojë delegacionin negociues rus për Ukrainën.

Po ashtu, i dërguari presidencial rus Kirill Dmitriev do të marrë pjesë në negociatat në Gjenevë, duke punuar veçmas në kuadër të një grupi bashkëpunimi ekonomik me ShBA-në, sipas Peskovit.

Raundi i parë i konsultimeve trepalëshe për sigurinë midis Rusisë, Ukrainës dhe ShBA-së u mbajt më 23-24 janar në Abu Dhabi, ndërsa raundi i dytë u zhvillua në të njëjtin vend më 4-5 shkurt.