| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Kryediplomatja e BE-së kërkon rishqyrtim të vizave për rusët për shkak të shqetësimeve për sabotim
Duke folur në një konferencë për media pas një takimi joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, Kallas tha se gjatë diskutimeve “shumë” ministra theksuan se BE-ja duhet të kufizojë vizat për shtetasit rusë.
Kryediplomatja e BE-së kërkon rishqyrtim të vizave për rusët për shkak të shqetësimeve për sabotim
Kryediplomatja e BE-së kërkon rishqyrtim të vizave për rusët për shkak të shqetësimeve për sabotim

Disa ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë ngritur shqetësime se vizat turistike ruse mund të përdoren për të lehtësuar operacionet e sabotimit brenda Bashkimit Evropian, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. 

Duke folur në një konferencë për media pas një takimi joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, Kallas tha se gjatë diskutimeve “shumë” ministra theksuan se BE-ja duhet të kufizojë vizat për shtetasit rusë.

E pyetur nëse kishte informacione se njëri prej të dyshuarve që mund të qëndrojë pas sulmit me dron në Leipzig të Gjermanisë kishte hyrë në Bashkimin Evropian me vizë turistike italiane, Kallas tha se një rast i tillë do të nënvizonte rreziqet e sigurisë që paraqesin vizat turistike ruse.

“Nëse kjo është e vërtetë, kjo tregon shumë qartë se vizat janë mjet i këtyre njerëzve që synojnë t’i bëjnë dëm Bashkimit Evropian për të hyrë në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

“Ka pasur mbështetje të gjerë për vendosjen e një ndalimi në nivel të BE-së për hyrjen e ish-luftëtarëve rusë dhe për kufizime më të ashpra të vizave për turistët rusë”, shtoi ajo.

Kallas tha gjithashtu se BE-ja, së bashku me Komisionin Evropian, po punon për propozime të reja për forcimin e zbatimit të sanksioneve.

Ajo tha se disa ministra kanë ngritur sërish çështjen e përdorimit të aseteve ruse të bllokuara, duke shtuar se diskutimet do të vazhdojnë.

Kallas tha gjithashtu se ministrat diskutuan se ku politika e jashtme e BE-së funksionon në mënyrë efektive, ku është tepër e ngadaltë dhe se si blloku mund ta shfrytëzojë më mirë ndikimin e tij ekonomik dhe politik.

Ajo tha se mes vendeve anëtare kishte mbështetje të gjerë për ruajtjen e strukturës aktuale institucionale, por se ajo duhet të zbatohet në mënyrë më efektive.

Kallas bëri gjithashtu thirrje për përdorim më të madh të mekanizmave të parashikuar në traktatet e BE-së, përfshirë abstenimin konstruktiv, i cili i lejon një shteti anëtar të mos e bllokojë një vendim, pa qenë i detyruar ta zbatojë atë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan gjithashtu për përkeqësimin e situatës në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Kallas tha se dhuna e pushtuesve izraelitë ndaj palestinezëve vazhdon të rritet dhe shumë shpesh mbetet “e pakontrolluar”.

“Vendbanimet E1 do të minojnë më tej perspektivën e zgjidhjes me dy shtete, duke krijuar një ndarje në Bregun Perëndimor”, tha ajo, duke rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për planin e paqes për Gazën.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë