Erdoğani: Türkiye promovon diplomacinë për tensionet me Iranin, apelon për ulje të tensioneve
"Ankaraja po bën thirrjet dhe iniciativat e nevojshme për të ulur tensionet, për të zgjatur armëpushimin dhe për të vazhduar bisedimet mbi sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit", tha Presidenti turk, Erdoğan.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të mërkurën se Türkiye po bën “thirrjet dhe iniciativat e nevojshme” për të ulur tensionet, për të zgjatur armëpushimin dhe për të vazhduar bisedimet mbi sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit.
“Qeveria izraelite, e cila dihet se është e pakënaqur me procesin e armëpushimit, nuk duhet të lejohet ta sabotojë atë”, tha Erdoğani gjatë takimit të grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).
“Negociatat nuk mund të zhvillohen me grushte të shtrënguar. Armët nuk duhet të lejohen të flasin përsëri në vend të fjalëve. Dritarja e mundësisë, e hapur nga armëpushimi, duhet të shfrytëzohet”, shtoi ai.
Erdoğani gjithashtu vlerësoi Kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, duke thënë: “E përgëzoj nga zemra mikun tim të dashur Sanchez, i cili ka marrë një qëndrim të vendosur kundër kërcënimeve të kasapit Netanyahu në Gazë.”
Lidhur me stabilitetin rajonal, Erdoğani tha: “Nëse do të ketë paqe në rajonin tonë, kjo do të jetë pavarësisht regjimit sionist. Nëse arrihet stabiliteti, kjo do të jetë përsëri pavarësisht qeverisë izraelite.”
“Ne do të vazhdojmë ta quajmë shtypësin shtypës, piratin pirat, vrasësin vrasës dhe të jemi zëri i fëmijëve të Gazës e të dëgjojmë britmat e nënave, zemrat e të cilave digjen”, vijoi kreu i shtetit turk.
Erdoğani tha se “Türkiye do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e vëllezërve/motrave, tokat e të cilëve janë të pushtuara në Bregun Perëndimor, si dhe të jetë ndjekës i kauzës së fëmijëve të vrarë në gjumë në Liban”.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi zëri i paqes dhe të udhëheqim përpjekjet për paqe me parimin e paqes në vend, paqes në rajon dhe paqes në botë”, theksoi ai.
Duke iu drejtuar kritikave drejtuar tij dhe Türkiyes nga Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, Erdoğani tha: “U kujtoj disa fakte vrasësve të foshnjave që flasin kundër meje dhe vendit tonë: Republika e Türkiyes nuk është një shtet i çfarëdoshëm.”
Ministria turke e Punëve të Jashtme kritikoi të shtunën Netanyahun për komentet që synonin Presidentin Erdoğan, duke thënë: “Vënia në shënjestër e udhëheqësit turk është rezultat i shqetësimit të shkaktuar nga të vërtetat që kemi shprehur në çdo platformë.”
Duke vënë në dukje urdhërarrestin që është lëshuar për Netanyahun nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, deklarata paralajmëroi kundër përpjekjeve të Netanyahut, të cilat synojnë të minojnë bisedimet e vazhdueshme të paqes dhe të vazhdojnë politikat e tij ekspansioniste në rajon.
Më tej deklarata përsëriti vendosmërinë e Türkiyes në përpjekjet e saj për ta mbajtur Netanyahun përgjegjës për krimet e tij, së bashku me mbështetjen e civilëve të pafajshëm.