| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Hamasi: Agresioni izraelit duhet të përfundojë para çdo diskutimi për të ardhmen e Gazës
Grupi palestinez i rezistencës bën thirrje për heqjen e bllokadës dhe njohjen e të drejtave kombëtare, ndërsa Bordi i Paqes i Trumpit diskuton miliarda në ndihmë dhe përpjekje stabilizimi.
Hamasi: Agresioni izraelit duhet të përfundojë para çdo diskutimi për të ardhmen e Gazës
Hamasi: Agresioni izraelit duhet të përfundojë para çdo diskutimi për të ardhmen e Gazës / AA
11 orë më parë

Diskutimet për të ardhmen e Gazës duhet të fillojnë me një ndalim të plotë të agresionit izraelit, tha grupi palestinez i rezistencës Hamas pasi Bordi i Paqes i Presidentit amerikan Donald Trump u mblodh për herë të parë.

“Çdo proces politik apo çdo marrëveshje që po diskutohet lidhur me Gazën dhe të ardhmen e popullit tonë palestinez duhet të nisë me ndalimin e plotë të agresionit, heqjen e bllokadës dhe garantimin e të drejtave tona legjitime kombëtare, para së gjithash të drejtën për liri dhe vetëvendosje”, tha Hamasi në një deklaratë të enjten.

Bordi i Trumpit u mblodh për seancën e tij inauguruese në Uashington të enjten, me një numër vendesh që u zotuan për fonde dhe personel për rindërtimin e territorit palestinez, më shumë se katër muaj pas një armëpushimi të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit.

Megjithatë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Hamasi duhet të çarmatoset para se të fillojë çdo rindërtim.

“Ne ramë dakord me aleatin tonë ShBA-në se nuk do të ketë rindërtim të Gazës para çmilitarizimit të Gazës”, tha Netanyahu.

Udhëheqësi izraelit nuk mori pjesë në takimin e Uashingtonit, por u përfaqësua nga ministri i tij i Jashtëm, Gideon Saar.

Trump tha se disa vende, kryesisht nga Gjiri, kanë premtuar më shumë se shtatë miliardë dollarë për rindërtimin e territorit.

Indonezia me shumicë myslimane do të marrë rolin e zëvendëskomandantit në një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi në formim, tha shefi amerikan i njësisë, gjeneralmajori Jasper Jeffers.

Trump, plani i të cilit për Gazën u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor, tha gjithashtu se pesë vende janë angazhuar të ofrojnë trupa, përfshirë Marokun, Kazakistanin, Kosovën dhe Shqipërinë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë