| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Hapet sesioni përmbyllës i Forumit të Biznesit Türkiye-Egjipt në Kajro
Presidentët Erdoğan dhe Sisi pritet të marrin pjesë në sesionin përmbyllës të forumit më vonë gjatë ditës.
Hapet sesioni përmbyllës i Forumit të Biznesit Türkiye-Egjipt në Kajro
Hapet sesioni përmbyllës i Forumit të Biznesit Türkiye-Egjipt në Kajro / AA
14 orë më parë

Sesioni përmbyllës i Forumit të Biznesit Türkiye-Egjipt nisi sot në Kajro, ndërsa presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mbërriti në kryeqytetin egjiptian për një vizitë zyrtare.

Presidenti turk mbërriti në Kajro sot në mëngjes, ku u prit nga homologu i tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi.

Kanali shtetëror egjiptian “Extra News” njoftoi se sesioni përmbyllës i forumit të biznesit ka “pjesëmarrje të gjerë nga komunitetet biznesore në Egjipt dhe Türkiye, si dhe nga institucionet financiare dhe ekonomike të të dyja vendeve”.

Sipas kanalit, në sesion do të diskutohen “mundësitë për investime të përbashkëta, rritja e shkëmbimeve tregtare, nënshkrimi e marrëveshjeve të reja tregtare, si dhe mbështetja e partneriteteve mes sektorëve privatë të dy vendeve”.

Erdoğan dhe Sisi pritet të marrin pjesë në sesionin përmbyllës të forumit më vonë gjatë ditës, tha kanali.

Sesioni i parë i forumit u mbajt në fillim të shkurtit në qytetin El Alamein në Bregun Verior të Egjiptit.

Forumi konsiderohet një nga takimet më të mëdha biznesore të organizuara ndonjëherë midis Egjiptit dhe Türkiyes, me rreth 200 drejtues dhe zyrtarë nga sektori i tregtisë, industrisë dhe bursës së Türkiyes, dhe më shumë se 100 përfaqësues biznesi nga Egjipti.

Marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Egjiptit kanë shënuar përparim të dukshëm vitet e fundit, me vëllime të shkëmbimeve tregtare që po rriten me ritme të shpejta.

Vizitat dhe kontaktet në nivel të lartë kanë kontribuuar së fundmi në nisjen e disa projekteve të përbashkëta në fushat e tregtisë, energjisë, mbrojtjes, turizmit, shëndetësisë, teknologjisë dhe bujqësisë.

Vëllimi tregtar midis Türkiyes dhe Egjiptit, i cili është partneri më i madh tregtar i Ankarasë në Afrikë, arriti 8,8 miliardë dollarë në 2024. Eksportet turke në Egjipt arritën 4,2 miliardë dollarë, ndërsa importet ishin 4,6 miliardë dollarë.

Erdoğan dhe Sisi kanë vendosur si objektiv arritjen e një vëllimi tregtar bilateral prej 15 miliardë dollarësh deri në 2028.

Për ta arritur këtë qëllim, ministritë përkatëse të të dyja vendeve po i intensifikojnë përpjekjet përmes një serie takimesh për të zhvilluar plane praktike që e përmirësojnë mjedisin e investimeve dhe e mbështesin këtë ambicie.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë