Katër anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) u vranë në sulmet ajrore të përbashkëta të ShBA-së dhe Arabisë Saudite në provincën veriore Dijala të Irakut, raportuan të mërkurën mediat iraniane.
Agjencia iraniane Mehr News identifikoi viktimat si Ali Asghar Astaneh, Abolfazl Motaqi, Morteza Akbari dhe Amir Abbas Darhamforoush, duke bërë të ditur se të katërt ishin nga qyteti Kashan në Iranin qendror.
Sipas agjencisë, ata humbën jetën gjatë sulmit në Dijala, por nuk u dhanë detaje të mëtejshme për rolin e tyre apo rrethanat e sulmit.
Raporti u publikua vetëm disa orë pasi mediat iraniane njoftuan se disa shtetas irakianë të plagosur në të njëjtat sulme ishin transferuar në Iran për trajtim mjekësor përmes pikës kufitare Khosravi.
Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) deklaroi se forcat amerikane dhe saudite kryen sulme precize të përbashkëta ndaj objektivave të lidhura me grupet e mbështetura nga Irani në Irak. Sipas saj, operacioni kishte në shënjestër lokacione të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike saudite.
Arabia Saudite tha se sulmet u kryen në kuadër të vetëmbrojtjes, në bazë të Nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, pas sulmeve të nisura nga territori irakian ndaj objekteve të saj të naftës. Riadi paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake nëse grupet e mbështetura nga Irani kryejnë sulme të reja.
Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF), një koalicion kryesisht i përbërë nga grupe të armatosura shiite të mbështetura nga Irani, konfirmuan se disa nga selitë e tyre u goditën gjatë sulmeve. Sipas tyre, të paktën 20 anëtarë u vranë, 32 të tjerë u plagosën, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha materiale.
Irani i ka dënuar sulmet, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Irakut.






















