| Albanian
BOTA
2 MINUTA LEXIMI
Regjistrohen 70 avionë dhe 11 anije kineze rreth ishullit të Tajvanit
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se 35 nga 70 avionët kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit dhe kanë hyrë në hapësirën ajrore të Tajvanit, në "zonën mbrojtëse të identifikimit".
Regjistrohen 70 avionë dhe 11 anije kineze rreth ishullit të Tajvanit
Regjistrohen 70 avionë dhe 11 anije kineze rreth ishullit të Tajvanit. / Photo: AA / AA
10 Prill 2023

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi se 70 avionë ushtarakë dhe 11 anije luftarake që i përkasin Kinës janë regjistruar rreth ishullit nga mëngjesi i së dielës deri në mëngjesin e sotëm.

Në komunikatën e ministrisë thuhet se 35 nga 70 avionët kanë kaluar vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit dhe kanë hyrë në hapësirën ajrore të Tajvanit, në "zonën mbrojtëse të identifikimit".

Më 8 prill, ushtria kineze filloi një stërvitje ushtarake triditore në ngushticën e Tajvanit, përmes së cilës Pekini dëshiron të paralajmërojë forcat protajvaneze që luftojnë për pavarësinë e ishullit.

Stërvitja nisi me luftanijen kineze në ngushticën e Tajvanit. Bëhet fjalë për një anije sulmi amfibe nga e cila u gjuajtën disa predha në zonën e Gjirit Luoyan në bregdetin e provincës Fujian, rreth 50 kilometra në veriperëndim të ishullit Matsu pranë truallit që është nën kontrollin e Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se 8 anije kineze dhe 42 avionë kaluan përmes ngushticës së Tajvanit të shtunën në mëngjes.

Kina e sheh Tajvanin si territor të saj dhe kurrë nuk ka hequr dorë për ta kthyer ishullin nën kontrollin e saj. Qeveria tajvaneze e kundërshton me forcë një gjë të tillë.

Gjithashtu stërvitje janë planifikuar edhe në veri, jug dhe lindje të ishullit të Tajvanit. Stërvitjet pasuan pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy në ShBA.

BURIMI:TRT Balkan / agjencitë