| Albanian
RAJONI
2 MINUTA LEXIMI
​Xhaçka takon Escobarin, në fokus siguria në Evropë dhe rajon
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë ka diskutuar me zyrtarin e lartë amerikan për forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon, në kontekstin e situatës së sigurisë në Evropë.
​Xhaçka takon Escobarin, në fokus siguria në Evropë dhe rajon
​Xhaçka takon Escobarin, në fokus siguria në Evropë dhe rajon / Foto: Facebook - Olta Xhaçka
12 Prill 2023

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me zv/ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, njëkohësisht edhe i Dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Dy zyrtarët vlerësuan partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA-së, teksa në fokus të bisedës ishte edhe forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon, në kontekstin e situatës së sigurisë në Evropë.

Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen ndaj Gabriel Escobarit për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Mirënjohje për zv/Ndihmëssekretarin e Shtetit Escobar për përfshirjen e tij personale dhe të ShBA-së në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. E sigurova atë për përkushtimin e Shqipërisë për thellimin e partneritetit strategjik me ShBA-në dhe për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal”, shkroi Xhaçka në rrjetet sociale.

BURIMI:Kosova Press