| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëri: Bordi i Transparencës përcakton çmimet e reja të karburanteve
Ministrja Ibrahimaj sqaroi se Bordi nuk përcakton çmimin e naftës bruto, por vetëm çmimet e nënprodukteve si gazoili, benzina dhe gazi i lëngshëm, duke vendosur marzhet maksimale të fitimit për shitjen me shumicë dhe pakicë.
Shqipëri: Bordi i Transparencës përcakton çmimet e reja të karburanteve
Shqipëri: Bordi i Transparencës përcakton çmimet e reja të karburanteve / User Upload
27 Mars 2026

Duke filluar nga data 26 mars në Shqipëri kanë hyrë në fuqi çmimiet e reja të naftës. Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj njoftoi se Bordi i Transparencës në mbledhjen e fundit vendosi që nafta do të tregtohet deri në 2.03 euro/litër dhe benzina deri në 1.75 euro/litër

Ajo bëri të ditur se tavani për naftën me shumicë është 1.91 euro/litër. Vendimi bazohet në lëvizjet në bursën Platts Mediterranean. Në këtë kuadër, benzina e standardit SSH EN do të shitet deri në 1.75 euro/litër në pakicë dhe 1.63 euro/litër në shumicë.

Sipas Ibrahimajt, çmimet do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.

Ministrja sqaroi se Bordi nuk përcakton çmimin e naftës bruto, por vetëm çmimet e nënprodukteve si gazoili, benzina dhe gazi i lëngshëm, duke vendosur marzhet maksimale të fitimit për shitjen me shumicë dhe pakicë. Këto marzhe, sipas saj, duhet të mbulojnë të gjitha kostot operative të operatorëve.

Ajo shtoi se ndryshimet e çmimeve lidhen drejtpërdrejt me luhatjet në bursën Platts Mediterranean dhe kursin e këmbimit të dollarit, ndërsa elementët e tjerë që përbëjnë çmimin mbeten të pandryshueshëm.

Në përfundim, Ibrahimaj paralajmëroi se çdo shkelje nga operatorët e tregtimit të karburanteve do të ndëshkohet me masa të rrepta, deri në pezullimin e aktivitetit, duke theksuar se monitorimi i tregut do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë