| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Nju Jorku zgjedh myslimanin Zohran Mamdani si kryetar bashkie
Mamdani, i lindur në Uganda nga prindër indianë dhe i rritur në Nju Jork që në moshën shtatëvjeçare, bëhet kryebashkiaku i parë mysliman dhe me origjinë nga Azia Jugore.
Nju Jorku zgjedh myslimanin Zohran Mamdani si kryetar bashkie
Nju Jorku zgjedh myslimanin Zohran Mamdani si kryetar bashkie / AP
5 Nëntor 2025

Njujorkezët kanë zgjedhur Zohran Mamdanin, një mysliman të ri dhe “socialist” demokrat, si kryetar bashkie.

Mamdani mundi ish-guvernatorin e shtetit Andrew Cuomo, një demokrat që kandidoi si i pavarur pasi u mund në primare.

Curtis Sliwa, kandidati republikan dhe themelues i Guardian Angels, përfundoi i treti në garë.

“Stacioni i radhës dhe i fundit është City Hall”, tha Mamdani në një video të postuar në X pas shpalljes së fitores së tij.

Mamdani, vetëm 34 vjeç, e përshkruan veten si socialist dhe deri para fitores së papritur në garën për nominimin e demokratëve, ishte pothuajse i panjohur.

Ai është përqendruar në uljen e kostove të jetesës për njujorkezët e zakonshëm, duke siguruar mbështetje falë stilit të tij informal dhe videove miqësore për rrjetet sociale ku shihet duke ecur në rrugë e biseduar me votuesit.

Me këtë fitore, Mamdani, i lindur në Uganda nga prindër indianë dhe i rritur në Nju Jork që nga moshën shtatë vjeç, bëhet kryebashkiaku i parë mysliman dhe me origjinë nga Azia Jugore i qytetit.

Fitorja e tij erdhi pavarësisht sulmeve të ashpra ndaj politikave dhe prejardhjes së tij myslimane nga Presidenti Donald Trump, elitat e biznesit dhe media konservatore.

Duke luajtur hapur me kartën e racës, Trump të martën e quajti Mamdanin “armik të hebrenjve”.

“Çdo person hebre që voton për Zohran Mamdani, një armik i dëshmuar dhe i vetëshpallur i hebrenjve, është person budalla!!!” shkroi presidenti republikan në rrjetin e tij social.

Biznesmenë të njohur, përfshirë Bill Ackman, e sulmuan me zë të lartë Mamdanin dhe derdhën para për rivalët e tij, ndërsa media konservatore, përfshirë The New York Post, publikoi mbulim gati tërësisht negativ. 

Reagimi i Trumpit

Fushata u përqendrua në koston e jetesës, krimin dhe mënyrën se si secili kandidat do të përballej me Trumpin, i cili ka kërcënuar të bllokojë fondet federale për Nju Jorkun.

Mamdani e përqendroi fushatën te përballueshmëria e kostove të jetesës.

Programi i tij përfshin ngrirjen e qirave për apartamentet me qira të rregulluar, transport urban falas me autobus, kujdes universal për fëmijët dhe dyqane ushqimore të drejtuara nga bashkia.

Politikat e tij përfshijnë gjithashtu rritjen e taksave për më të pasurit e qytetit dhe rritjen e taksës për korporatat, duke nxitur frikë tek komuniteti financiar se konkurrueshmëria e qytetit mund të dëmtohet.

Rritja e jashtëzakonshme e Mamdanit gjithashtu nxjerr në pah debatin brenda Partisë Demokratike mbi të ardhmen qendrore apo më të majtë të saj.

Ndërkohë, fitoret e demokratëve në garat për guvernator në Virxhinia dhe Nju Xhersi sugjerojnë një ndryshim të klimës politike ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve të ardhshme afatmesme kur do të vihet në lojë kontrolli i Kongresit.

Trump, megjithatë, ia atribuoi humbjet e republikanëve në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Virxhinia mungesës së tij në fletën e votimit dhe mbylljes së vazhdueshme të qeverisë federale.

Në kampin e Cuomos mbizotëronte një atmosferë e zymtë, me disa të pranishëm që parashikonin se Trump do të dërgojë menjëherë Gardën Kombëtare në qytet.

Të tjerë fajësuan Sliwan për ndarjen e votës së qendrës së djathtë.

Në Nju Xhersi, kandidatja demokrate Mikie Sherrill mundi një biznesmen të mbështetur nga Trumpi dhe në Virxhinia, kandidatja demokrate Abigail Spanberger rimori zyrën e guvernatorit nga republikanët.

Të dyja palët nxorën figurat e mëdha, me ish-presidentin Barack Obama që mobilizoi mbështetje për Spanberger dhe Sherrill. “Na pret akoma shumë punë për të bërë, por e ardhmja duket pak më e ndritshme”, tha Obama duke iu përgjigjur fitoreve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë