Një i ri me aftësi të kufizuara u vra nga forcat izraelite gjatë një inkursioni tokësor në fshatin Jamlah, në perëndim të provincës Dara, në jug të Sirisë, raportuan sot mediat siriane.
Televizioni Alikhbariah raportoi se trupat izraelite hynë në fshatin Jamlah, në pjesën perëndimore rurale të provincës Dara dhe vendosën snajperë në çatitë e ndërtesave të banimit ndërsa kontrollonin disa shtëpi.
Televizioni tha se gjatë operacionit, forcat izraelite qëlluan edhe pa dallim në lagjet e banuara. Agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA raportoi se forcat izraelite hynë në fshatin Jamlah dhe vranë me armë zjarri një civil me aftësi të kufizuara. Trupi i tij u dërgua në spitalin kombëtar të Daraa-s, raportoi agjencia.
Inkursioni ndodhi një ditë pasi tanket izraelite bombarduan periferinë e fshatit Abidin, në perëndim të Daraas, të mërkurën, sipas televizionit Alikhbariah. Të dielën, Ministria e Jashtme e Sirisë dënoi shtimin e inkursioneve izraelite në provincën e Kuneitras dhe në zonat rurale të Daraas si dhe rritjen e fluturimeve të helikopterëve, avionëve zbulues dhe avionëve luftarakë mbi jugun e Sirisë.
Ministria paralajmëroi se shkeljet e vazhdueshme “minojnë perspektivat për arritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon në përgjithësi dhe në Siri në veçanti si dhe pengojnë përpjekjet për rindërtim dhe rimëkëmbje". Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’u japë fund shkeljeve dhe ta detyrojë Izraelin të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së.
Forcat izraelite kanë kryer inkursione të përsëritura në jug të Sirisë që nga rënia e Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, kur Izraeli e shpalli të pavlefshme marrëveshjen e shkëputjes së forcave të vitit 1974 dhe pushtoi zonën tampon siriane.






















