| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Ujëvara Okçular tërheq vëmendje me strukturën e saj në formë shkallësh
Ujëvara Okçular, e rrethuar nga nuanca të gjelbra, pret veçanërisht gjatë muajve të verës vizitorë që duan të freskohen.
Ujëvara Okçular tërheq vëmendje me strukturën e saj në formë shkallësh
Ujëvara Okçular tërheq vëmendje me strukturën e saj në formë shkallësh

Ujëvara Okçular, në rrethin Araç të Kastamonus, Türkiye, e shpallur “Zonë Natyrore e Mbrojtur me Vlera të Veçanta”, tërheq vizitorë me strukturën e saj në formë shkallësh dhe bukurinë natyrore.

Ujëvara, e cila ndodhet brenda territorit të fshatit Okçular, 17 kilometra larg qendrës së rrethit, derdhet nga një lartësi prej rreth 10 metrash mes pemëve, duke formuar kaskada të vogla në formë shkallësh.

Ujëvara Okçular, e rrethuar nga nuanca të gjelbra, pret veçanërisht gjatë muajve të verës vizitorë që duan të freskohen.

Kryetari i fshatit Okçular, Sabahattin Soyunmez, tha për Anadolu se fshati i tyre spikat për bukuritë natyrore.

“Ky vend të kujton Pamukkalen”

Soyunmez tha se për shkak të strukturës në formë shkallësh, Ujëvara Okçular u ngjan travertineve të Pamukkales, duke shtuar: “Ky vend të kujton Pamukkalen. Për shkak se uji ynë është paksa gëlqeror dhe përmban minerale, ai ka formuar një shtresë mbi tokë. Atje pamja është e bardhë, ndërsa këtu është kafe. Kjo vjen nga përbërja e ujit.”

Ai tha se mirëmbajtjen dhe pastrimin e zonës e bëjnë vetë banorët e fshatit dhe u kërkoi vizitorëve të mos hedhin mbeturina në mjedis.

Edhe banori i fshatit, Sezai Klavuz, tha se ujëvara i shton vlerë fshatit të tyre, duke u shprehur: “Vijnë njerëz nga vende të ndryshme për të parë ujëvarën. Jemi të lumtur t’i presim. Vizitorëve u pëlqen shumë dhe duan të vijnë përsëri".

Anil Ortasengun, i cili kishte ardhur nga Ankaraja me familjen, tha se e shihte ujëvarën për herë të parë: “Është një vend shumë i bukur. Në fillim hezitoja të hyja në ujë, por më pas u mësova. Uji është shumë i ftohtë, por ky është një vend shumë i bukur. Përreth është gjelbërim i pafund dhe shumë i bukur. Do t’ua rekomandoj këtë vend edhe të tjerëve".

Abdurrahman Erdoğan, i cili kishte ardhur nga Kastamonu me familjen, tha: “Është një vend shumë i bukur. Është mirë edhe për Kastamonun që ka vende të tilla natyrore. Uji është pak i ftohtë, por në këto temperatura të freskon. Ua rekomandoj të gjithëve. Freskia e ujit të lehtëson kur ecën në të gjatë ditëve të nxehta”.