| Albanian
BOTA
4 MINUTA LEXIMI
Në Astana u theksua nevoja për kthimin e sigurt të të zhvendosurve në Siri
Gjatë takimit në Astana sipas kumtesës së Ministrisë së Jashtme të Türkiyes, palët diskutuan çështjet për situatën në terren, luftën kundër terrorizmit, zhvillimet rajonale, procesin politik, rikthimet dhe ndihmat humanitare.
Në Astana u theksua nevoja për kthimin e sigurt të të zhvendosurve në Siri
Në Astana u theksua nevoja për kthimin e sigurt të të zhvendosurve në Siri.  / Foto: AA / AA

Ministria e Jashtme e Türkiyes, lidhur me deklaratën e përbashkët të publikuar pas bisedimeve në Astana me temë Sirinë deklaroi "Palët kanë vënë në dukje nevojën për krijimin e kushteve të nevojshme brenda Sirisë për të siguruar kthimin e sigurt, vullnetar dhe dinjitoz të sirianëve".

Ministria turke bëri një deklaratë me shkrim lidhur me deklaratën e përbashkët përfundimtare të "Bisedimeve në Astana me temë Sirinë" e cila u mbajt për herë të 20-të në kryeqytetin e Kazakistanit.

Sipas deklaratës, në takim Türkiye u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga zv.ministri i Jashtëm, ambasadori Burak Akçapar. Gjatë takimit u diskutuan çështjet për situatën në terren, luftën kundër terrorizmit, zhvillimet rajonale, procesin politik, rikthimet dhe ndihmat humanitare.

Palët vendosën theksin për angazhimin e tyre ndaj unitetit politik dhe integritetit territorial të Sirisë si dhe rolin e Procesit të Astanas për zgjidhje paqësore të çështjes së Sirisë. Më tej u theksua vendosmëria për luftën kundër agjendave separatiste të cilat kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje, përfshirë sulmet dhe infiltrimet ndërkufitare.

Palët dënuan praninë në rritje dhe sulmet e organizatave terroriste të cilat veprojnë në Siri me emra dhe zgjatime të ndryshme.

Palët theksuan se janë të papranueshme përpjekjet e ashtuquajtura "vetadministrim" për të cilat po bëhen përpjekje të vendosen në zbatim nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit si dhe dënuan shkeljet e strukturës separatiste në verilindje të Sirisë, përfshirë këto përpjekje dhe shprehën shqetësimin për veprimet e vendeve që mbështesin formësimet terroriste.

Duke tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e zbatimit aktual të gjithë rregullores lidhur me veriun e Sirisë dhe për Idlibin, palët konfirmuan angazhimin e tyre në përparimin e procesit të zgjidhjes politike në mosmarrëveshjen e Sirisë në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

Në kuadër të kësaj, palët bënë thirrje për realizimin sa më parë të raundit të ardhshëm të Komitetit Kushtetues.

Gjithashtu palët shprehën shqetësimin e tyre nga situata humanitare e rënduar si pasojë e tërmeteve të 6 shkurtit si dhe bënë të ditur rëndësinë e vazhdimit pa ndërprerë të ndihmave humanitare për gjithë Sirinë.

Në këtë aspekt, në deklaratën ku vihet theksi rëndësia e rritjes dhe vazhdimit të ndihmës humanitare në bazë të rezolutës 2672 të OKB-së për mekanizmin ndërkufitar të OKB-së, thuhet se "Palët kanë vënë në dukje nevojën për formimin e kushteve të nevojshme brenda Sirisë për të siguruar kthimin e sigurt, vullnetar dhe dinjitoz të sirianëve. Me rastin e takimit, janë zhvilluar bisedime dypalëshe me anëtarët vëzhgues të Procesit të Astanas dhe agjencive të OKB-së".

BURIMI:TRT Balkan / agjencitë