| Albanian
RAJONI
2 MINUTA LEXIMI
Stoltenberg fton Kosovën dhe Serbinë për depërshkallëzim të situatës
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviq, Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ripohoi përkushtimin “e palëkundur” të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR).
Stoltenberg fton Kosovën dhe Serbinë për depërshkallëzim të situatës
Stoltenberg fton Kosovën dhe Serbinë për depërshkallëzim të situatës. / Photo: AA / AA

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të de-përshkallëzojnë situatën dhe të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian (BE) për uljen e tensioneve.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviq, Stoltenberg ripohoi përkushtimin e "palëkundur" të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR).

"Ne kemi shtuar praninë tonë dhe do të vazhdojmë të marrim të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë", tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu theksoi se KFOR-i e kryen detyrën në mënyrë "të paanshme" mes tensioneve të rritura së fundmi.

Shefi i NATO-s u bëri thirrje "të gjitha palëve që të de-përshkallëzojnë" situatën dhe përshëndeti planin për takimin e sotëm mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai theksoi se ulja e tensioneve është "kyç për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon".

Presidenti Milatoviq, nga ana e tij, theksoi se Mali i Zi "mbështet fuqishëm" dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq pritet të takohen në Bruksel me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës muajin e kaluar pas zgjedhjeve lokale në komunat me pakicë serbe.

Misioni paqeruajtës ndërkombëtar i KFOR-it ka operuar në Kosovë që nga viti 1999 nën një mandat të Kombeve të Bashkuara (OKB).

BURIMI:TRT Balkan / agjencitë