Osmani priti në Kosovë delegacion të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Gjatë vizitës, ata panë gjithashtu lokacionin ku pritet të ndërtohet spitali i ri i gjinekologjisë në Prishtinë, projekt që, sipas dakordimit paraprak, do të realizohet me mbështetje nga Emiratet.
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në Kosovë një delegacion të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i dërguar nga presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me fokus mbështetjen e sektorit të shëndetësisë dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Sipas Osmanit, vizita vjen pas takimit të saj me presidentin e Emirateve javën e kaluar në Abu Dhabi, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve përmes projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Presidentja Osmani, së bashku me delegacionin nga Emiratet dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, u pritën nga stafi dhe menaxhmenti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si dhe nga prindër dhe fëmijë në Spitalin e Fëmijëve “Sheikha Fatima”, i ndërtuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gjatë vizitës, ata panë gjithashtu lokacionin ku pritet të ndërtohet spitali i ri i gjinekologjisë në Prishtinë, projekt që, sipas dakordimit paraprak, do të realizohet me mbështetje nga Emiratet.
Delegacioni më pas qëndroi në qytetin e Mitrovicës, ku u diskutua edhe për një projekt të ri, të cilin Osmani e cilësoi si transformues dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Osmani shprehu mirënjohje ndaj presidentit Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe Sheikha Fatima Bint Mubarak për, siç tha, mbështetjen, besimin dhe miqësinë e sinqertë ndaj Kosovës.
Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë intensifikuar bashkëpunimin në vitet e fundit, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe projekteve me ndikim social.