Plenkoviq për raketën e re të Ushtrisë së Serbisë: Do të bisedojmë me aleatët e NATO-s

Duke komentuar përfshirjet e mundshme të sigurisë për vendet fqinje, Plenkoviq tha se Kroacia vazhdon të investojë në aftësitë e veta mbrojtëse dhe po e ndjek situatën në rajon.

By
Plenkoviq për raketën e re të Ushtrisë së Serbisë: Do të bisedojmë me aleatët e NATO-s / AA

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi të enjten se Zagrebi po ndjek zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, pas informacioneve se ushtria e këtij vendi posedon një raketë supersonike kuazi-balistike CM-400 me rreze veprimi të paktën 250 kilometra.

Bëhet fjalë për një raketë kineze ajër-tokë CM-400, e cila sipas informacioneve të disponueshme është parë e vendosur në çift nën avionin luftarak MiG-29. Duke komentuar implikimet e mundshme të sigurisë për vendet fqinje, Plenkoviq tha se Kroacia vazhdon të investojë në aftësitë e veta mbrojtëse dhe po ndjek situatën në rajon.

“Sa i përket kapaciteteve të Ushtrisë Kroate, kjo është fusha në të cilën kemi investuar shumë gjatë këtyre viteve. Kroacia është anëtare e NATO-s dhe po e ndjek procesin që po zhvillohet në Serbi. Në çdo rast, nuk presim që posedimi i një arme kaq serioze të mund të përdoret ndaj vendeve fqinje, qoftë ndaj Kroacisë apo ndonjë vendi tjetër”, tha kryeministri Plenkoviq në Pozhega, raportoi HRT-ja.

Ai shtoi se Kroacia do ta diskutojë këtë çështje me aleatët.

“Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe do t’i njoftojmë për këtë armatim, i cili është një risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë,” theksoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se ushtria e vendit të tij e posedon këtë raketë, duke thënë se bëhet fjalë për “ushtrinë më të pajisur bindshëm në rajon”.