Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, të martën u takua me presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, në Antalya, në jug të Türkiyes, për t'i diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale e globale, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes.
Lula ndodhet në Antalya për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të COP31.
Gjatë takimit, Erdoğan tha se Türkiye dhe Brazili do ta shënojnë në vitin 2027 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, sipas njoftimit të drejtorisë.
Ai tha se të dy vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për ta forcuar bashkëpunimin dhe për të zgjeruar lidhjet në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregti dhe industrinë e mbrojtjes.
Erdoğan theksoi gjithashtu se të dy vendet i japin përparësi paqes në qasjen e tyre ndaj çështjeve ndërkombëtare, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit.
Duke folur për diplomacinë klimatike, Erdoğan tha se Türkiye synon të mbështetet në përparimin e arritur gjatë presidencës së Brazilit në COP30.
Ai shtoi se COP31 po hartohet si një konferencë e përqendruar në zbatimin e vendimeve të miratuara më parë.
Erdoğan gjithashtu e përgëzoi Lulan për suksesin zgjedhor, njoftoi drejtoria.






















