Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) organizoi një iftar për nxënësit me sindromën Down dhe autizëm që ndjekin mësimin në Qendrën për Edukim dhe Rehabilitim Special në Prishtinë, si dhe për familjet e tyre.
Në programin e organizuar në kuadër të aktiviteteve “Një Sofër, Një Mijë Zemra”, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angili, zëvendëskryeministri i tretë i Kosovës përgjegjës për Çështjet e Komuniteteve dhe Bashkëpunim dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, koordinatorja e TIKA-s në Kosovë, Fulya Aslan, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Saranda Bogujevci, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, ambasadori Angili falënderoi TIKA-n për realizimin e këtij projekti, i cili synon që fëmijët me autizëm dhe sindromën Down të rriten si pjesë dhe individë të barabartë të shoqërisë.
“Për mendimin tim, niveli i zhvillimit të një vendi matet me faktin se sa secili individ në shoqëri, pavarësisht sa i pafavorizuar mund të jetë, ndihet si pjesë e barabartë e asaj shoqërie dhe si bashkëpronar i barabartë i atij vendi. Vetëm atëherë mund të thuhet se një vend është vërtet i zhvilluar”, tha Angili, duke theksuar se kontributi i TIKA-s, në bashkëpunim me institucionet kosovare, për një shoqëri më të zhvilluar në Kosovë është shumë i rëndësishëm dhe domethënës.
Koordinatorja e TIKA-s në Kosovë, Fulya Aslan, theksoi se që nga viti 2004 institucioni që ajo përfaqëson ka realizuar projekte të shumta në Kosovë, duke përfshirë fusha të ndryshme si arsimi, shëndetësia, ruajtja e trashëgimisë kulturore, zhvillimi bujqësor, forcimi i kapaciteteve të institucioneve publike dhe projektet e mbështetjes sociale.
Ajo theksoi se qëllimi i TIKA-s është të lërë vepra të qëndrueshme që prekin jetën e njerëzve dhe ndërtojnë ura miqësie ndërmjet zemrave në vendin mik dhe vëlla, Kosovë. Sipas saj, Qendra për Edukim dhe Rehabilitim Special në Prishtinë, e ndërtuar nga TIKA, është një dëshmi konkrete e këtij vizioni.
Aslan thensoi se muaji i Ramazanit është muaj i empatisë dhe vëllazërisë. “Ndërsa ndajmë të njëjtën sofër sonte, ndajmë edhe dashurinë dhe solidaritetin tonë. Si TIKA, dua të theksoj se do të vazhdojmë gjithmonë të jemi pranë individëve me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre të çmuara”, tha ajo.
Zëvendëskryeministri Damka, në fjalën e tij, falënderoi TIKA-n për qindra projektet që ka realizuar në Kosovë gjatë 25 viteve të fundit.
“Na kanë mbështetur nga arsimi deri te shëndetësia. Por besoj se një nga projektet më të rëndësishme është qendra për sindromën Down dhe autizmin. Fëmijët tanë janë të barabartë dhe ne duhet të bëjmë përpjekje që ata të jenë të barabartë në çdo aspekt”, tha ai.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtoresha e Shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri, dhe drejtoresha e Shoqatës së Autizmit, Hatixhe Hoxha, mbajtën gjithashtu fjalime, duke falënderuar TIKA-n për mbështetjen e dhënë për mirëqenien e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre.
Qendra për Edukim dhe Rehabilitim Special në Prishtinë, e ndërtuar dhe e pajisur nga TIKA në kryeqytetin e Kosovës, konsiderohet qendra më e madhe dhe më e pajisur e edukimit special në vend.





















