Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha të hënën se protokolli i propozuar emergjent i sigurisë i bllokut duhet të plotësojë dhe jo të kopjojë mekanizmat e NATO-s, ndërsa BE-ja shqyrton mënyrat për t'iu përgjigjur të ashtuquajturave sulme të “zonës gri”.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel, Kallas tha se vendet anëtare zhvilluan një diskutim fillestar mbi protokollin e propozuar, i cili synon të krijojë një mekanizëm për koordinimin e reagimeve ndaj sulmeve të ashtuquajtura të “zonës gri”.
“Duhet të punojmë edhe për protokollin emergjent, sepse nuk duhet të ketë duplikim. Kjo është ajo që po thonë të gjithë dhe është pikërisht ajo që as ne nuk duam të krijojmë”, tha ajo.
Kallas theksoi se mekanizmi duhet të funksionojë “krah për krah” me NATO-n dhe të mos krijojë struktura paralele, duke shtuar se për këtë çështje kishte diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Protokolli emergjent ka të bëjë më shumë me atë se cilat mjete mund të përdoren në momentin e një agresioni që nuk përbën agresion të armatosur dhe që mbetet nën pragun e Nenit 5”, tha ajo, duke iu referuar dispozitës së NATO-s për mbrojtjen kolektive.
Ajo bëri dallimin mes mekanizmit të propozuar të BE-së dhe Nenit 4 të NATO-s, i cili u mundëson aleatëve të zhvillojnë konsultime kur siguria e një vendi anëtar kërcënohet.
“Neni 4 i NATO-s ka të bëjë vetëm me konsultime. Nuk është një plan veprimi”, tha Kallas, duke shtuar se propozimi i BE-së do të shqyrtonte në vend të kësaj “çfarë mund të bëjnë shtetet anëtare” në përgjigje të sulmeve hibride që mbeten nën pragun e agresionit të armatosur.
Ukraina dhe Deti i Kuq
Sa i përket Ukrainës, Kallas tha se vendet anëtare të BE-së ranë dakord për shpërndarjen e 6,6 miliardë eurove nga Faciliteti Evropian i Paqes, duke theksuar se mbrojtja ajrore mbetet “prioriteti kryesor” për Kievin.
Megjithatë, ajo bëri të ditur se gjatë takimit të së hënës nuk pati zotime të reja për interceptorë të mbrojtjes ajrore.
Për sa i përket trajnimit ushtarak, vendet anëtare ranë dakord për hapin e parë të një rishikimi strategjik të Misionit të Asistencës Ushtarake të BE-së në mbështetje të Ukrainës, përfshirë zgjatjen e misionit edhe për dy vjet të tjera.
Sipas Kallasit, BE-ja do të ecë përpara edhe me krijimin e një qendre koordinimi në Kiev, e fokusuar në mësimet e nxjerra nga fusha e betejës dhe forcimin e edukimit ushtarak.
Ajo tha se sulmet dhe avancimet e Huthive kanë rritur rreziqet për rrugët e transportit detar në Detin e Kuq, ndërsa Operacioni Aspides i BE-së ka ndihmuar në mbajtjen e hapur të rrugës ujore.
Megjithatë, ajo tha se misionit i nevojiten burime shtesë për t'u bërë më efektiv.
Kallas bëri të ditur se dy vende anëtare të BE-së kishin sugjeruar se mund të ofronin anije shtesë, duke theksuar se misionit nuk i duhen vetëm më shumë anije, por edhe mjete lundruese me kapacitetet e duhura.























