Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, njoftoi sot se i ka shpallur "persona non grata" dy anëtarë të stafit diplomatik të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë, duke u dhënë atyre një afat prej 48 orësh për t'u larguar nga vendi, si dhe se BeH-ja po tërheq pëlqimin e saj për deklaratën mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, e cila ishte planifikuar të nënshkruhej më 1 tetor në Mal të Zi.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Konakoviq deklaroi se në përputhje me Rregulloren për Shpalljen e Personave të Padëshirueshëm dhe të Papranueshëm, kishte marrë vendimin për t'i shpallur si persona të padëshirueshëm Millan Dullanoviqin, atasheun ushtarak në Ambasadën e Serbisë dhe Darko Maksimoviqin, këshilltarin e përfaqësuesit të BIA-s (Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë).
"Këta dy individë kanë 48 orë kohë për t'u larguar nga Bosnjë e Hercegovina", tha Konakoviq, duke shtuar se kartat e tyre diplomatike do të revokoheshin.
Ai i bëri thirrje trupit diplomatik në BeH që ta ndërpresë komunikimin diplomatik me Dullanoviqin dhe Maksimoviqin.
Duke folur për arsyet e vendimit, Konakoviq përmendi qëndrimin e zyrtarëve serbë ndaj kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, pas vdekjes dhe varrimit të tij në Beograd, duke theksuar se kjo përbënte, siç u shpreh ai, kalimin e të gjitha vijave të kuqe.
Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, vdiq më 27 gusht ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm, të shqiptuar nga Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale për krime lufte të kryera në Bosnjë e Hercegovinë. Më pas, trupi i tij u transferua në Beograd, ku u mbajtën ceremonia përkujtimore dhe varrimi.
Konakoviq theksoi se BeH-ja nuk do të lejojë që glorifikimi i të dënuarve për gjenocid dhe krime të tjera ndërkombëtare të paraqitet si qëndrim i individëve.
"Asgjë tjetër nuk ka më rëndësi. Asnjë proces, qoftë ekonomik, tregtar, social apo administrativ – nuk është më i rëndësishëm se ajo që Serbia po bën aktualisht në BeH", tha Konakoviq.
Ministri njoftoi gjithashtu se BeH-ja kishte tërhequr pëlqimin e saj për deklaratën e përbashkët mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, e cila ishte planifikuar të nënshkruhej më 1 tetor në Mal të Zi.
Ai tha se BeH-ja nuk do të nënshkruajë një dokument të tillë derisa, siç u shpreh ai, të ndryshojë situata në Serbi.
"Ne nuk do të nënshkruajmë deklarata të tilla, letra boshe, për sa kohë që kemi përballë Serbinë që po shohim këto ditë, Serbinë e viteve të nëntëdhjeta, e cila vërtet na paralajmëron se gjërat nuk janë normale", tha Konakoviq.
Ai shtoi se Mali i Zi ishte njoftuar për tërheqjen e pëlqimit, duke theksuar se BeH-ja nuk ka problem me vetë dokumentin, por me marrëdhëniet dhe veprimet aktuale të Serbisë.
Konakoviq njoftoi një shqyrtim të strukturës së personelit të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë – konkretisht, të numrit të personelit diplomatik të nevojshëm për funksionimin e saj.
Ai deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme e BeH-së do të shqyrtonte ndryshimin e juridiksionit konsullor, si dhe reduktimin gradual të numrit të personelit në Ambasadën e BeH-së në Beograd, në përputhje me procedurat e brendshme.
"Derisa politikanët normalë të shfaqen të gatshëm për kompromis dhe marrëveshje, nuk kemi pse të pajtohemi për gjithçka në histori, ju nuk do të na ofendoni dhe poshtëroni më kurrë", tha Konakoviq.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian ndaj glorifikimit të Mlladiqit, Konakoviq vlerësoi se deklarata e tyre, e rishikuar më pas, mbeti jo mjaftueshëm e qartë dhe paralajmëroi se do t'u dërgonte një letër institucioneve të BE-së, duke kërkuar sqarime për qëndrimin e tyre lidhur me glorifikimin publik dhe institucional të individëve të dënuar për gjenocid dhe krime të tjera ndërkombëtare.
Konakoviq thekson se BeH-ja do të përpiqet të sigurojë që të mbahen zgjedhjet në Ambasadën e BeH-së në Serbi, por shtoi se ishte i gatshëm t'i pranonte pasojat nëse kjo do të rezultonte e pamundur për shkak të rrethanave të reja.






















