Italia ka përfunduar tërheqjen e forcave të saj të armatosura nga Iraku, duke i dhënë fund një vendosjeje 12-vjeçare, tha të martën ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Personeli i fundit, i cili kishte mbetur për të rikuperuar dhe transferuar pajisjet logjistike, është kthyer, tha Crosetto në një deklaratë. Tërheqja u përfundua përpara afatit të 30 shtatorit të rënë dakord me autoritetet irakiane.
"Prandaj, nga nesër, prania jonë ushtarake në Irak do të përfundojë," tha Crosetto. Ai tha se ky veprim ishte pjesë e një faze të re të rënë dakord me Irakun dhe vendet partnere, në të cilën forcat irakiane të sigurisë do ta marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë e vendit.
Operacioni "Vendosmëria e Natyrshme" i koalicionit të udhëhequr nga ShBA-ja dhe Misioni i NATO-s në Irak do të vazhdojnë të veprojnë nga vende të tjera, tha ai. Misioni i NATO-s do të veprojë përkohësisht nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të aleancës në Lago Patria, pranë Napolit.
Crosetto tha se mijëra trupa italiane kanë shërbyer në Irak gjatë 12 viteve të fundit, duke kontribuar në luftën kundër DAESh-it dhe duke i trajnuar forcat e armatosura irakiane dhe forcat e sigurisë në rajonin kurd.
Italia planifikon të vazhdojë të punojë me Irakun përmes trajnimeve, shkëmbimeve të ekspertizës dhe përpjekjeve për të zhvilluar aftësitë ushtarake irakiane, shtoi ai.
Ministria e Mbrojtjes tha se tërheqja italiane ishte përfunduar kryesisht deri në mars. Dy karabinierë italianë mbeten në Irak si pjesë e Misionit të veçantë Këshillimor të BE-së, EUAM Iraq, i cili është i autorizuar nga qeveria irakiane.























