Të paktën 63.746 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, njoftoi të mërkurën Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se 113 trupa janë sjellë në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 304 persona janë plagosur, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve nga sulmet izraelite në 161.245.
“Shumë viktima vazhdojnë të jenë të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk arrijnë dot tek ata”, thotë ministria.
Ministria gjithashtu njoftoi se në 24 orët e fundit janë vrarë 33 palestinezë dhe më shumë se 141 janë plagosur nga sulmet izraelite ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare.
Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë ndërsa kërkonin ndihmë ka arritur në 2.339, ndërsa më shumë se 17.070 janë plagosur që nga 27 maji.
Ministria tha se në 24 orët e fundit gjashtë palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja dhe uria.
Kështu, numri i vdekjeve të lidhura me mungesën e ushqimit që nga tetori 2023 është rritur në 367 persona, përfshirë 131 fëmijë.
Që nga 2 marsi, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare në Gaza, duke e shtyrë popullsinë prej 2,4 milionë banorësh drejt urisë masive.
Një vlerësim për sigurinë ushqimore i mbështetur nga OKB-ja tashmë ka konfirmuar gjendjen e urisë në veri të Gazës dhe parashikon që ajo të përhapet më tej drejt jugut deri në fund të shtatorit.
Muneer Alboursh, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, deklaroi se më shumë se 1.100 persona janë vrarë dhe 6.008 janë plagosur në sulmet izraelite mbi qytetin e Gazës që nga 13 gushti.
Alboursh tha se sulmet janë të orientuara sistematikisht ndaj institucioneve shëndetësore dhe ambulancave dhe se mijëra shtëpi e ndërtesa në atë zonë janë shkatërruar.
Ushtria izraelite vazhdoi sulmet mbi Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 11.615 njerëz dhe ka plagosur 49.204, duke shkelur marrëveshjen për armëpushim dhe shkëmbim të robërve që kishte hyrë në fuqi në janar.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në këtë enklavë.





















