YTB organizon programin “Iftari i Vëllazërisë së Ballkanit” në Shkup
“Nën udhëheqjen e presidentit tonë, Türkiye e hapi sërish zemrën për gjithë gjeografinë tonë shpirtërore dhe frytet e kësaj i shohim në këto tubime të bukura", tha Erdoğan.
Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) organizoi në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut programin “Iftari i Vëllazërisë së Ballkanit”.
Në programin e iftarit të mbajtur në një hotel në Shkup morën pjesë kryetari i Bordit të Besimit të Fondacionit "Ilim Yayma", Bilal Erdoğan, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i YTB-së, Abdulhadi Turus, presidenti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, nënkryetarët e AK Partisë, Hasan Basri Yalçın dhe Zafer Sırakaya, kryetari i Bordit Drejtues të IBU-së, Bilal Sucubaşı, rektori i IBU-së Prof. Dr. Lütfi Sunar, deputetë nga Maqedonia e Veriut, studentë dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, Erdoğan falënderoi YTB-në për organizimin e programit të iftarit dhe shprehu kënaqësinë për hapjen në fillim të Ramazanit të xhamisë së re në Shkup, ndërtuar nga Fondacioni Diyanet i Türkiyes (TDV).
Duke theksuar se marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut po japin fryte të bukura, Erdoğan tha: “Si Türkiye, lidhja dhe interesi ynë për Ballkanin janë krejt të veçanta”.
“Nën udhëheqjen e presidentit tonë, Türkiye e hapi sërish zemrën për gjithë gjeografinë tonë shpirtërore dhe frytet e kësaj i shohim në këto tubime të bukura", shtoi ai.
“Ballkani është ndër rajonet me rëndësi të madhe për politikën e jashtme të Türkiyes”
Ambasadori Ulusoy, nga ana e tij, theksoi se Türkiye është pjesë e pandashme e Ballkanit për shkak të pozitës gjeografike, historisë dhe lidhjeve kulturore, duke shtuar se Ballkani zë një vend shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme të Türkiyes.
Ulusoy gjithsashtu theksoi rëndësinë që Türkiye i kushton sigurisë, mirëqenies dhe stabilitetit të rajonit.
Ndërkaq, Turus tha se njerëzit e rritur në Ballkan i kanë sjellë vlera të mëdha Türkiyes dhe falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në iftarin e vëllazërisë.
Eren, presidenti i TİKA-s, bëri të ditur se gjatë muajit të Ramazanit TİKA do të arrijë te rreth 600 mijë njerëz në 95 vende të botës.
Duke e cilësuar Shkupin si një nga qytetet më të rëndësishme të Rumelisë, Eren tha: “Ne, si turq të Trakisë Perëndimore, e dimë shumë mirë çfarë do të thotë të jesh larg atdheut dhe të jetosh nën presion, duke ruajtur identitetin tënd".
“Do të vazhdojmë të jemi së bashku në gjithë Ballkanin”
Hasan Basri Yalçın u shpreh i kënaqur që ndodhej në Shkup dhe tha se, në përputhje me vizionin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në gjithë hapësirën ballkanike dhe të marrin pjesë në aktivitete të tilla.
Ndërkaq, Zafer Sırakaya përcolli përshëndetjet e presidentit Erdoğan, duke theksuar se ai ndjek nga afër çështjet e qytetarëve dhe bashkëkombësve në Ballkan.