Türkiye arrestoi 25 terroristë të dyshuar të DAESh-it
Ekipet e policisë hetuan dhe zbuluan se të dyshuarit po vëzhgonin dhe bënin fotografi për sulme të mundshme në vendet e adhurimit hebre dhe të krishterë në Istanbulit.
Në një operacion të madh të forcave të sigurisë në Türkiye, janë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për anëtarësim në organizatën terroriste DAESh, të cilët akuzohen për planifikimin e sulmeve terroriste ndaj kishave dhe sinagogave në atë vend.
Aksioni u krye në nëntë provinca turke, përfshirë Istanbulin, i cili ishte në qendër të hetimeve.
Një burim i paidentifikuar i sigurisë tha se janë ndaluar 32 të dyshuar dhe janë arrestuar 25. Dy të dyshuarit janë caktuar për deportim, ndërsa njërit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe katër janë liruar me masa kontrolli gjyqësor.
Operacioni është rezultat i bashkëpunimit midis Shërbimit Informativ Turk (MIT) dhe Departamentit të Policisë së Istanbulit për Luftën kundër Terrorizmit.
Ekipet e policisë hetuan dhe zbuluan se të dyshuarit ishin të lidhur me të ashtuquajturin regjiment Salman al-Faris të DAESh-it dhe se ata kishin kryer zbulim dhe fotografim për sulme të mundshme në vendet e adhurimit hebre dhe të krishterë në Istanbul.
Në vitin 2013, Türkiye u bë një nga vendet e para që e shpalli DAESh-in një organizatë terroriste.
Türkiye ka qenë vazhdimisht objektiv i sulmeve terroriste të DAESh-it, në të cilat janë vrarë më shumë se 300 njerëz. Si përgjigje, Türkiye nisi operacione antiterroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme.