Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në një përgjigje për mediat në Kosovë ka paralajmëruar se së shpejti do të ngritet aktakuzë me emrat e autorëve të sulmit mbi Familjen Jashari në Prekaz gjatë marsit të vitit 1998.
Nga sulmi i 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz gjatë vitit 1998 mbi familjen Jashari mbetën 55 të vrarë, 22 prej të cilëve familijarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari i cili prej kohësh ishte bërë cak i aparatit shtetëror serb.
Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ka ndarë shumë detaje rreth kësaj çështjeje, por vetëm ka paralajmëruar se ky rast është duke u trajtuar me prioritet dhe se së shpejti do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.
"Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se shumë shpejt, do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës", njofton institucioni në fjalë.
Paralajmërimin për ngritjen e aktakuzës, për sulmin ndaj familjes Jashari e kanë mirëpritur në organizatën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kanë konsideruar se është dashur të bëhet vite më parë.
Hetimi i krimeve të luftës ishte në dorë të misionveve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ndërsa nga vitit 2018 kompetencat kanë kaluar tek Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka departamentin e veçantë për hetimin e tyre.















