Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ozkan Ulutas.
FSK-ja njoftoi se në këtë takim gjenerali Jashari i shprehu mirëseardhje Ulutasit dhe uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it.
"Gjatë takimit ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke i përfshirë trajnimet, stërvitjet, sfidat, operacionet dhe aktivitetet e tjera të saj", bëhet e ditur nga FSK-ja.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen.
Tutje u diskutua edhe për bashkëpunimin e deritanishëm midis FSK-së dhe KFOR-it duke u theksuar rëndësia e thellimit të këtij bashkëpunimi, i cili do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë si në Kosovë, ashtu edhe në rajon.


















