| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Maqedoni e Veriut: Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e interkonektorit të gazit me Serbinë
Pjesa e interkonektorit në territorin e Maqedonisë së Veriut do të jetë e gjatë 22,4 kilometra dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2028.
Maqedoni e Veriut: Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e interkonektorit të gazit me Serbinë
Maqedoni e Veriut: Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e interkonektorit të gazit me Serbinë/ AA

Sot në Maqedoninë e Veriut u nënshkrua marrëveshja për projektimin dhe ndërtimin e interkonektorit të gazit me Serbinë.

Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i kompanisë shtetërore të gazit "Nomagas", Nedim Rama, dhe drejtori i kompanisë së ndërtimit "Rapid Build", Toni Karanfilovski, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministres së Energjisë, të Minierave dhe të Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.

Rama tha se pas procedurës së zhvilluar për përzgjedhjen e kontraktuesit, oferta e "Rapid Build", në vlerë prej 29,4 milionë eurosh, është shpallur më e favorshmja.

Bëhet fjalë për një kontratë "çelës në dorë", sipas modelit FIDIC, e cila përfshin planifikimin urban, projektimin, ndërtimin dhe sigurimin e lejes së përdorimit, tha Rama pas nënshkrimit.

Ndërkohë, kryeministri Mickoski tha se me ndërtimin e interkonektorëve me Greqinë dhe Serbinë, vendi do të fitojë lidhje të plotë vertikale energjetike.

"Këto projekte kanë rëndësi të madhe rajonale, dhe do të thoja edhe gjeostrategjike më të gjerë, dhe unë e shoh këtë projekt, këtë tubacion që duhet të lidhë Maqedoninë me Serbinë, përmes kësaj perspektive", tha Mickoski.

Pjesa e interkonektorit në territorin e Maqedonisë së Veriut do të jetë e gjatë 22,4 kilometra, me diametër prej 500 milimetrash. Pika fillestare do të jetë pranë stacionit bllok "Kleçovcë", ndërsa pika përfundimtare do të jetë në kufirin me Serbinë, pranë fshatit Sopot.

Në kuadër të projektit do të ndërtohen edhe pesë objekte shoqëruese: një stacion kryesor matës i interkonektorit, një stacion reduktimi, një stacion bllok dhe dy stacione për pranimin dhe dërgimin e pajisjeve për pastrimin e tubacionit.

Kapaciteti teknik i planifikuar i gazsjellësit është deri në 160 mijë metra kub gaz në orë, me mundësi për rrjedhje në të dyja drejtimet.

Realizimi i plotë i projektit pritet të përfundojë në tremujorin e katërt të vitit 2028.


BURIMI:AA