Patriarku Latin i Kudsit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, ka paralajmëruar se ekstremizmi po fiton gjithnjë e më shumë terren brenda disa segmenteve të shoqërisë izraelite në kontekstin e luftës në Gaza, duke thënë se një “kulturë përçmimi” ndaj arabëve dhe johebrenjve po përforcohet nga narrativat mediatike, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për të përditshmen italiane Corriere della Sera, Pizzaballa tha se atmosfera e krijuar pas sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza ka kontribuuar në rritjen e retorikës ekstremiste.
“Fatkeqësisht, ekstremizmi po fiton terren në këtë kontekst”, tha kardinali. “Po shohim pasojat e tij në disa sektorë të shoqërisë civile izraelite. Jo të gjithë, sigurisht, do të thoja se nuk është shumica”, shtoi ai.
“Por kultura e përçmimit për gjithçka që nuk është e tyre, jo vetëm për gjithçka arabe, por për gjithçka që nuk është hebraike, fatkeqësisht po rritet”, paralajmëroi kardinali.
Duke e quajtur këtë trend thellësisht shqetësues, Pizzaballa tha se këto qëndrime po bëhen gjithnjë e më të dukshme në diskursin publik.
“Është një element i sëmurë brenda një shoqërie, i amplifikuar nga media, dhe diçka që duhet ta frenojmë para se të bëhet vërtet alarmante”, tha ai.
Patriarku tha se përkeqësimi i dhunës në rajon reflekton një dështim më të gjerë të lidershipit politik dhe dialogut.
“Serioziteti i situatës në Lindjen e Mesme, dhe sigurisht jo vetëm aty, duhet të trajtohet brenda kornizës së ligjshmërisë ndërkombëtare dhe pa shtuar më shumë viktima”, u shpreh ai.
Pizzaballa e përshkroi luftën si një “idhull të ri”, duke thënë se aktorët politikë gjithnjë e më shumë po u drejtohen përballjeve ushtarake në vend të negociatave.
Ai shtoi se pas 7 tetorit dhe luftës që pasoi, shumë njerëz besojnë se “dialogu nuk vlen më asgjë”.
“Pas 7 tetorit dhe gjithçkaje që pasoi, duket se dialogu nuk vlen më asgjë, dhe se ata që kanë para dhe pushtet mund të bëjnë çfarë të duan”, tha ai.
I pyetur nëse ende beson në zgjidhjen me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë, Pizzaballa u përgjigj: “Po dhe jo”.
“Dhe e kuptoj se, ndonëse jam françeskan, po përgjigjem si jezuit”, shtoi ai.
Ai shpjegoi se nga pikëpamja praktike, krijimi i dy shteteve aktualisht duket i pamundur për shkak të mungesës së vazhdimësisë territoriale.
Megjithatë, ai këmbënguli se palestinezëve nuk mund t’u mohohen aspiratat për shtetësi dhe dinjitet.
“Nuk mund t’u thuash palestinezëve se nuk kanë të drejtë për një të ardhme në shtëpinë e tyre”, tha ai. “Nuk mund t’u heqësh atyre, të paktën, atë dëshirë”, theksoi Pizzaballa.
Kardinali gjithashtu dënoi përdorimin e fesë për të justifikuar dhunën, duke e quajtur atë “mëkati më i rëndë që mund të bëhet”.
“Nuk mund të përdorësh emrin e Zotit për të justifikuar dhunën”, tha ai, duke paralajmëruar se narrativat fetare nuk duhet të monopolizohen nga ekstremistët.






















