Fidan: Presidenti Erdoğan mbetet i përkushtuar ndaj stabilizimit të sigurisë dhe rimëkëmbjes në Gaza
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha se situata humanitare në Gaza "mbetet e brishtë dhe shkeljet e armëpushimit vazhdojnë të ndodhin".
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha të enjten se Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, mbetet i angazhuar për stabilizimin e sigurisë dhe rimëkëmbjen në Rripin e Gazës.
Fidan i bëri këto komente gjatë takimit të parë të Bordit të Paqes, i cili u zhvillua në Uashington nën kryesimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Ai tha se “pas dy vitesh vuajtjesh njerëzore, është arritur një armëpushim në Gaza, falë përfshirjes personale të presidentit Trump dhe përpjekjeve tona të përbashkëta”.
“Megjithatë, situata humanitare mbetet e brishtë dhe shkeljet e armëpushimit vazhdojnë të ndodhin. Një përgjigje e shpejtë, e koordinuar dhe efektive është thelbësore”, shtoi Fidan.
“Presidenti Erdoğan mbetet plotësisht i përkushtuar për stabilizimin e sigurisë dhe rimëkëmbjen në Gaza. Türkiye ka ofruar tashmë ndihma humanitare në masë të madhe për Gazën”, tha ai.
“Ne gjithashtu mund të kontribuojmë në mënyrë të rëndësishme në rehabilitimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, si dhe në trajnimin e forcës policore. Për më tepër, jemi të gatshëm të dërgojmë trupa në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit”, shtoi Fidan.
“Türkiye do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet tuaja (të Trumpit) drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne mbetemi të bindur se baza e një paqeje të tillë është një zgjidhje me dy shtete. Le të punojmë drejt këtij qëllimi për të mirën e të gjithë popujve të rajonit”, deklaroi kryediplomati turk.