Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e vendeve të rajonit kanë përcjellë urimet e tyre pas fitores së "Listës Studentore" në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të cilat u mbajtën dje.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në mesazhin e saj përgëzoi "Listën Studentore" për fitoren në zgjedhjet parlamentare.
"Jemi të gatshëm të mbështesim reformat në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së medias, luftës kundër korrupsionit dhe institucioneve të forta demokratike, si dhe të punojmë së bashku për të çuar përpara të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian", deklaroi ajo.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se pas gati dy vitesh protesta për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, qytetarët e Serbisë dolën në votime në numër rekord.
"Urime 'Listës Studentore' për fitoren! Pikërisht këto janë vlerat që qëndrojnë në thelb të Bashkimit tonë Evropian. Për Serbinë mund të fillojë një kapitull i ri. Dera drejt BE-së është e hapur dhe jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku", deklaroi ajo.
Në mesazhin e saj, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, përgëzoi për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.
"Qytetarët serbë treguan pjekuri demokratike përmes transferimit paqësor të pushtetit politik", tha Siljanovska-Davkova.
Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, përgëzoi "Listën Studentore" për fitoren në zgjedhje.
"Jam i bindur se ky rezultat zgjedhor do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në miqësi, dialog të sinqertë dhe përkushtim ndaj një të ardhmeje të përbashkët evropiane", deklaroi ai.
Edhe anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, përgëzoi "Listën Studentore" për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
"I përgëzoj për fitoren zgjedhore, me dëshirën që Serbia të vazhdojë të ecë në rrugën e zhvillimit dhe prosperitetit. Gjithashtu, përgëzoj të gjithë aktorët e tjerë politikë, si dhe qytetarët e Serbisë, për kapacitetin demokratik që treguan”, deklaroi ajo.
Radomir Sajçiq, kandidati i "Listës Studentore" në zgjedhjet parlamentare në Serbi, dje shpalli fitoren në zgjedhje.
Ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiq pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën.





















