Danimarka ka njoftuar se është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë në kudër të një misioni të mundshëm paqeruajtës evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, pas një takimi të Komitetit të Politikës së Jashtme, siç raporton media shtetërore e lajmeve DR, tha se me rëndësi është që “Evropa t’i dërgojë sinjalet e duhura si Putinit ashtu edhe Uashingtonit”.
"Duke deklaruar gatishmërinë tonë për të kontribuar, ne theksojmë se nëse një prani evropiane bëhet e nevojshme për një armëpushim ose marrëveshje paqeje, Danimarka është, në parim, e gatshme", tha Rasmussen.
Megjithatë, ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, sqaroi se aktualisht nuk ka plane konkrete.
"Ne nuk kemi marrë një vendim për ndonjë vendosje specifike. Kjo varet nga mënyra se si do të zhvillohet situata. Kjo është një deklaratë gatishmërie, jo një veprim i menjëhershëm," tha Poulsen.
Shefi i mbrojtjes gjithashtu theksoi se është shumë herët për të përcaktuar nëse përpjekje të tilla paqeruajtëse do të funksionojnë nën NATO-n ose një koalicioni të kombeve evropiane.
Deklarata vjen pas komenteve të javës së kaluar të kryeministres daneze, Mette Frederiksen, e cila përsëriti se qeveria e saj mbetet "me mendje të hapur" për vendosjen e trupave në Ukrainë si pjesë e një force të mundshme paqeruajtëse.
"Siç kam thënë më parë, ne kemi një mendje të hapur si një qeveri daneze", tha Frederiksen për TV2 pas një takimi të nivelit të lartë në Londër të organizuar nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Takimi u fokusua në zhvillimet e fundit në luftën Rusi-Ukrainë dhe shqetësimet më të gjera të sigurisë evropiane. Megjithatë, ajo pranoi sfidat e sigurisë të territorit ukrainas, duke theksuar se "do të jetë e vështirë për ushtarët evropianë të ruajnë çdo centimetër".
Frederiksen shprehu optimizëm për sigurinë e Evropës pavarësisht nga konflikti i vazhdueshëm.