Samiti "Stratcom 2026" fillon të premten në Istanbul
Samiti Ndërkombëtar do të mbledhë zyrtarë të lartë nga 38 vende për të diskutuar mbi luftën në Lindjen e Mesme dhe çështjet urgjente me të cilat përballet sistemi ndërkombëtar.
Samiti Ndërkombëtar i Komunikimit Strategjik "Stratcom 2026" do të mbledhë zyrtarë të lartë nga 38 vende për të diskutuar mbi luftën në Lindjen e Mesme dhe çështjet urgjente me të cilat përballet sistemi ndërkombëtar.
I organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes, në samitin dyditor, i cili do të zhvillohet më 27-28 mars, do të marrin pjesë zëvendëspresidenti turk Cevdet Yilmaz, ministri i Jashtëm Hakan Fidan dhe presidenti i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës Ibrahim Kalin. Njëmbëdhjetë ministra nga 10 vende do të jenë midis më shumë se 60 zyrtarëve të lartë që do të marrin pjesë në samit.
Anadolu është partneri global i komunikimit të këtij eventi.
Nën temën "Përçarja në Sistemin Ndërkombëtar: Kriza, Narrativa dhe Kërkimi për Rend", samiti do të shqyrtojë përçarjet strukturore në sistemin global, krizat që rezultojnë dhe qasjet e ndryshme rajonale për rivendosjen e stabilitetit ndërkombëtar.
Në mediat sociale, drejtori i Komunikimit Burhanettin Duran tha se "Si Drejtori e Komunikimeve, qëllimi ynë është ta nxisim bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ta angazhojmë mençurinë kolektive duke përdorur fuqinë e komunikimit strategjik. Ky samit nuk është thjesht takim, është një deklaratë e fortë e vullnetit drejt zgjidhjes së çështjeve globale".
Ai theksoi komunikimin si një mjet kyç në menaxhimin e krizave dhe ndërtimin e zgjidhjeve të qëndrueshme.
"Me Samitin Stratcom të organizuar në përputhje me vizionin e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, ne synojmë të zhvillojmë një gjuhë të përbashkët për çështjet globale, t’i forcojmë kanalet e dialogut dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një sistemi ndërkombëtar më të drejtë. Ne besojmë me gjithë zemër se ky zë i fortë që ngrihet nga Stambolli do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në botë", tha Duran.
Samiti do t’i shqyrtojë jo vetëm ndryshimet strukturore në sistemin ndërkombëtar mes tensioneve gjeopolitike në rritje, paqëndrueshmërisë ekonomike dhe krizave shumështresore, por edhe intensifikimin e konkurrencës narrative globale.