Trump i dorëzon Kongresit njoftimin për kompetencat e luftës lidhur me sulmet ndaj Iranit
Në një letër drejtuar Kongresit, presidenti thotë se forcat amerikane kryen “sulme precize” ndaj objektivave raketore dhe mbrojtëse iraniane, duke theksuar se veprime të tjera mbeten të mundshme.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, njoftoi zyrtarisht Kongresin të hënën, në përputhje me Rezolutën për Kompetencat e Luftës, lidhur me sulmet ushtarake të kryera më 28 shkurt kundër Iranit, sipas disa mediave amerikane.
Në një letër drejtuar Chuck Grassleyt, presidentit të përkohshëm të Senatit, Trump tha se përpjekjet diplomatike kishin dështuar për të zgjidhur tensionet.
“Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të administratës sime për të arritur një zgjidhje diplomatike ndaj sjelljes dashakeqe të Iranit, kërcënimi për Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e partnerëve të saj u bë i papërballueshëm”, shkroi ai në letër.
“Prandaj, dhe me udhëzimin tim, më 28 shkurt 2026, forcat e Shteteve të Bashkuara kryen sulme precize ndaj një sërë objektivash brenda Iranit, përfshirë vendndodhje të raketave balistike, kapacitete për minimin detar, mbrojtje ajrore dhe kapacitete të komandës dhe kontrollit”, shtoi ai.
Trump tha se sulmet u kryen për të mbrojtur forcat amerikane në rajon dhe në territorin kombëtar, për të garantuar lirinë e qarkullimit detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe për të vepruar në vetëmbrojtje kolektive të aleatëve të ShBA-së, përfshirë Izraelin.
“Nuk është e mundur në këtë moment të dihet shtrirja e plotë dhe kohëzgjatja e operacioneve ushtarake që mund të jenë të nevojshme”, tha Trump, duke shtuar se forcat amerikane “mbeten të gatshme për të ndërmarrë veprime të mëtejshme, sipas nevojës dhe në mënyrë të përshtatshme, për të adresuar kërcënime dhe sulme të tjera ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve dhe partnerëve të saj”.
Njoftimi vjen ndërsa ligjvënës demokratë dhe disa republikanë po bëjnë thirrje që Kongresi të votojë për legjislacion që do të kufizonte veprime të mëtejshme ushtarake pa autorizim të qartë.
Letra erdhi mes tensioneve rajonale në përshkallëzim, të nxitura nga sulmet e përbashkëta ushtarake ShBA-Izrael ndaj Iranit të nisura herët të shtunën, të cilat vranë disa liderë të lartë iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë që kanë shënjestruar Izraelin dhe asetet ushtarake amerikane në të gjithë rajonin e Gjirit.
Sulmet ndodhën ndërkohë që bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit ishin në zhvillim e sipër nën ndërmjetësimin e Omanit. Një raund i ri bisedimesh në Gjenevë përfundoi të enjten.