Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë të dyshuar për helmim nga ushqimi, nga të cilët 11 kanë rezultuar pozitiv me bakterin Salmonella.
Sipas QKUK-së, deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë të helmuar, ndërsa vetëm gjatë tri ditëve, përkatësisht më 13, 14 dhe 15 korrik, 30 pacientë kërkuan ndihmë mjekësore.
“Pas analizave të hollësishme laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis. Ekipi shëndetësor konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke e marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Në kuadër të këtyre rasteve, gjatë kësaj periudhe treditore janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme, derisa numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion dhe që dyshohet se mund të jenë helmuar është edhe më i madh.
“Stafi mjekësor është duke i kryer ekzaminimet e nevojshme dhe po e monitoron vazhdimisht gjendjen e tyre, ndërsa po punohet intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit”, thuhet tutje në njoftimin e QKUK-së.
QKUK-ja ka rekomanduar qytetarët ta shmangin konsumimin e ushqimit “fast-food”, veçanërisht për shkak të këtyre ditëve me temperatura të larta, pasi nxehtësia favorizon shumimin e shpejtë të baktereve.
Në ditët e fundit është raportuar për helmime të qytetarëve nga ushqimi në një lokal në Prishtinë dhe dy lokale në Han të Elezit me emër të njëjtë biznesi. Megjithëkëtë, institucionet shtetërore ende nuk kanë dalë me raport zyrtar.





















