Izraeli ka vendosur t'ia dorëzojë familjez trupin e një 15-vjeçari palestinez, më shumë se 9 muaj pasi forcat izraelite e vranë dhe mbajtën trupin e tij, bëri të ditur të mërkurën një grup palestinez.
Fushata Kombëtare për Rikthimin e Trupave të Dëshmorëve Palestinezë tha se Jadallah Jihad Jumaa Jadallah, nga kampi i refugjatëve Al-Fara'a në Tubas, u vra nga të shtënat e ushtrisë izraelite gjatë një bastisjeje në kamp më 16 nëntor 2025.
Trupi i tij ka mbetur në mbajtje të Izraelit që prej asaj kohe.
Fushata tha se vendimi erdhi pas një padie të paraqitur në Gjykatën Supreme të Izraelit në mars, me kërkesën për kthimin e trupit të fëmijës.
Pasi u dha vazhdimisht prokurorëve më shumë kohë për t'u përgjigjur, gjykata të mërkurën u njoftua se autoritetet izraelite synojnë ta dorëzojnë trupin në ditët në vijim, megjithëse nuk u dha një datë konkrete.
Sipas shifrave të publikuara të mërkurën, në prag të Ditës Kombëtare për Rikthimin e Trupave të Dëshmorëve Palestinezë, grupi tha se Izraeli mban trupat e rreth 1.700 palestinezëve, përfshirë 799 persona identiteti i të cilëve dihet.
Mes trupave të identifikuar janë edhe 81 fëmijë nën moshën 18 vjeç, 99 palestinezë që kanë vdekur në burgjet izraelite dhe 10 gra, thuhet në deklaratë.
Fushata tha se 256 trupa të tjerë mbahen në të ashtuquajturat "varreza të numrave", ku varret shënohen me numra dhe jo me emra, ndërsa Izraeli ruan informacionin mbi identitetin e personave të varrosur aty.
Gjykata Supreme e Izraelit vendosi në vitin 2019 se autoritetet mund t'i mbajnë trupat e palestinezëve për t'i përdorur si mjete presioni, politikë që më vonë u zgjerua edhe për palestinezët që Izraeli i akuzon për kryerjen e sulmeve.























