| Albanian
BOTA
5 MINUTA LEXIMI
Mbështetja ushtarake e qeverisë për Izraelin ngjall debat në Gjermani
Niema Movassat, një politikan i Partisë së Majtë, kritikoi ashpër kancelarin Olaf Scholz dhe partnerët e tij të koalicionit për planifikimin e vazhdimit të dërgesave të armëve në Izrael, duke i dhënë fund ngrirjes disamujore të dërgesave.
Mbështetja ushtarake e qeverisë për Izraelin ngjall debat në Gjermani
Mbështetja ushtarake e qeverisë për Izraelin ngjall debat në Gjermani           / Foto: AA / AA

Vendimi i qeverisë gjermane për të vazhduar me mbështetjen ushtarake për Izraelin, pavarësisht ofensivës gjenocidale të Tel Avivit në Rripin e Gazës, ka ndezur debat në mbarë vendin.

Niema Movassat, një politikan i Partisë së Majtë, kritikoi ashpër kancelarin Olaf Scholz dhe partnerët e tij të koalicionit për planifikimin e vazhdimit të dërgesave të armëve në Izrael, duke i dhënë fund ngrirjes disamujore të dërgesave.

“Në Gaza njerëzit po vdesin nga uria. Gaza është e pabanueshme. Izraeli po sulmon Libanin, UNIFIL-i është në shënjestër të ushtrisë izraelite. Ndërkohë në Gjermani po diskutohet seriozisht për shpërblimin e këtyre shkeljeve të ligjit ndërkombëtar me dërgesa armësh. Krejtësisht e humbur”, tha Movassat në plaftformën sociale X.

Partia e Të Gjelbërve e Gjermanisë, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të kancelarit Scholz, bllokoi eksportin e armëve të luftës në Izrael në muajt e fundit, nga frika se dërgesat mund të përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Sipas gazetës Bild, të Gjelbrit hoqën kundërshtimin e tyre javën e kaluar pasi qeveria mori "garanci me shkrim" nga Izraeli se nuk do të përdorë armë gjermane në një "gjenocid".

Mediat lokale raportuan se licencat e ndryshme të eksportit, duke përfshirë pjesë këmbimi për tanket dhe helikopterët e ushtrisë izraelite, tashmë janë miratuar.

Analisti politik gjerman, Torsten Menge, kritikoi ashpër zv/kancelarin Robert Habeck dhe ministren e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, për heqjen e kundërshtimit të tyre dhe theksoi se marrja e garancive të tilla nga qeveria izraelite nuk ishte e mjaftueshme që Gjermania të përmbushë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar.

"Nëse Baerbock dhe Habeck kërkojnë një garanci me shkrim nga Izraeli se nuk do të përdorë armë gjermane për gjenocid, atëherë ata janë të vetëdijshëm se Izraeli mund të jetë duke kryer gjenocid," tha Menge në X.

“Skandali është se qeveria gjermane e di se Izraeli po kryen krime lufte dhe gjenocid dhe ende dërgon armë. Edhe nëse Izraeli nuk i përdor armët drejtpërdrejt, ne po mbështesim në mënyrë indirekt krimet e Izraelit”, theksoi ai.

Gjermania ka qenë një aleat i vendosur i Izraelit dhe zyrtarët qeveritarë vazhdimisht kanë thënë se vendi mban përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës së tij naziste.

Në vitin 2023, qeveria gjermane i miratoi Izraelit pajisje ushtarake dhe armë luftarake në vlerë prej 326.5 milionë euro. Shifra zyrtare e këtij viti ishte përtej 15 milionë euro.

Dje, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sebastian Fischer, tha se nuk shohin “shenja se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza”. Ai përsëriti se vendi do të vazhdojë të mbështesë Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit.

Deklaratat e tij erdhën disa orë pasi avionët luftarak izraelitë goditën tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në Spitalin Al-Aksa në Gazën qendrore, duke vrarë të paktën katër civilë dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Videot nga vendi i ngjarjes treguan disa civilë palestinezë të djegur të gjallë, derisa shpëtimtarët po përpiqeshin të shpëtonin njerëzit dhe ta frenonin zjarrin në oborrin e spitalit.

Që kur Izraeli filloi luftën kundër Hamasit në Gaza tetorin e kaluar, në enklavën palestineze janë vrarë të paktën 42.200 palestinezë dhe janë plagosur mbi 98.400 të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Izraeli po përballet me një lëndë gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën e rrethuar, ku miliona palestinezë janë zhvendosur, duke u përballur me uri dhe mungesa akute të ndihmës mjekësore dhe gjërave të tjera thelbësore.

BURIMI:TRT Balkan / agjencitë
Eksploro
NATO-ja: Reduktimi i rolit ushtarak të ShBA-së në Evropë do ta forcojë aleancën në afat të gjatë
Oxfam: Që nga 2023, më shumë palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor se në 17 vitet e mëparshme
Patriarku latin i Kudsit paralajmëron përkeqësimin e kushteve në Gaza nën pushtimin izraelit
Filipine, rritet në 55 numri i viktimave nga tërmeti 7.8 ballësh
Kryeministri kanadez: Türkiye aleate “jashtëzakonisht e rëndësishme strategjike” për Kanadanë
Trumpi: Marrëveshja për t'i dhënë fund luftës me Iranin mund të nënshkruhet që këtë fundjavë
Izraeli është bërë shteti më i bojkotuar në botë
Shefi i NATO-s: ShBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive të aleancës
Raport: Holanda, porta kryesore e BE-së për produktet nga vendbanimet e paligjshme izraelite
OKB-ja: Numri i personave të zhvendosur me forcë bie në 118 milionë
Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet mes sulmeve të ripërtërira amerikane
Ridizajnimi i mbrojtjes evropiane: Mendim i dëshiruar apo strategji?
Kina përsërit thirrjen ndaj ShBA-së dhe Iranit për të ndalur luftimet dhe për t’u rikthyer në dialog
Sulmet amerikane pranë Hormuzit goditën objektin iranian të ujit të pijshëm
Irani: Rajoni do të shndërrohet në "ferr" për ShBA-në për shkak të Ngushticës së Hormuzit
Drejtori i Spitalit Kamal Adwan kërkon lirimin e menjëhershëm, kundërshton ndalimin e tij
Trump: Irani mori "shumë kohë për të negociuar një marrëveshje dhe tani do të paguajë çmimin"
Delegacioni nga Katari mbërrin në Teheran për bisedime mbi tensionet Iran-ShBA
Kremlini: Akoma nuk ka marrëveshje për një takim Putin-Pashinyan
BE-ja: Diplomacia është e vetmja mënyrë për sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme