| Albanian
RAJONI
2 MINUTA LEXIMI
Zgjedhjet në Kosovë, votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jenë të parat zgjedhje të rregullta parlamentare në Kosovë, që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Zgjedhjet në Kosovë, votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër
Zgjedhjet në Kosovë, votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër/    Foto: Kosovapress / Others

Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm në Kosovë, votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër votimi, bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

KQZ-ja do të caktojë qendrat e votimit me kusht dhe listën e tyre do ta publikojë në faqen zyrtare të këtij institucioni, tha zëdhënësi Valmir Elezi, përmes një video-adresimi.

Ndryshimet për votimin me kusht ishin bërë me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të miratuar në vitin 2023.

“Ky lloj votimi [me kusht] është i mundur sërish, por nuk do të lejohet në çdo Qendër Votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ-ja do të caktojë Qendrat për Votim me Kusht. Lista e tyre do të publikohet në uebfaqen e KQZ-së dhe mjetet e tjera të informimit”, tha Elezi.

Data për mbajtjen e zgjedhjeve është caktuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimeve me partitë politike dhe KQZ-në.

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jenë të parat zgjedhje të rregullta parlamentare në Kosovë, që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

BURIMI:TRT Balkan / agjencitë