ShBA: McDonald's lidhet me një vdekje dhe dhjetëra raste të infeksionit
Përbërësi i kontaminuar në hamburger që ka shkaktuar infektimin nga bakteria Escherichia coli nuk është zbuluar.
Të paktën 49 persona janë prekur nga bakteria Escherichia coli (E. coli), dhe një person ka vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), duke paralajmëruar se të gjitha rastet e epidemisë janë të lidhura me një produkt nga McDonald's.
Në njoftimin e CDC-së thuhet se rastet janë raportuar në dhjetë shtete amerikane dhe se dhjetë persona janë shtruar në spital.
Përbërësi i kontaminuar në hamburger që ka shkaktuar sëmundjen nuk është zbuluar, njoftoi CDC, duke shtuar se McDonald's po bashkëpunon me hetuesit për ta identifikuar atë.
Megjithatë, zinxhiri i ushqimit të shpejtë ka ndalur përdorimin e qepës së freskët dhe qoftes së viçit në Quarter Pounder në disa shtete.
"Gjetjet e para nga hetimi tregojnë se një nën-grup sëmundjesh mund të jetë i lidhur me qepën e grirë që përdoret në Quarter Pounder dhe vjen nga një furnizues që shërben tri qendra shpërndarjeje. Si rezultat i kësaj, dhe në përputhje me protokollet tona të sigurisë, të gjitha restorantet lokale kanë marrë udhëzime për të hequr këtë produkt nga oferta e tyre, dhe ne kemi pezulluar shpërndarjen e qepës së prerë në zonën e prekur", njoftoi McDonald's.
Simptomat e E. coli përfshijnë dhimbje barku, diarre, si dhe të vjella.