Kreu i NATO-s dhe liderë të shumtë evropianë do të diskutojnë për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.
Takimi, i cili do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Bruksel, organizohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa në të do të marrin pjesë liderët e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Polonisë, si dhe krerët e Këshillit dhe Komisionit të BE-së, bëri të ditur transmetuesi publik "Radioja Polake".
Bisedimet pritet të fokusohen në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën dhe praninë e mundshme të trupave paqeruajtëse evropiane në vend, shtoi mediumi polak.
E përditshmja amerikane The Wall Street Journal dje raportoi se presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, i kishte sugjeruar presidentit francez Emmanuel Macron që trupat evropiane të monitoronin një armëpushim të ardhshëm në Ukrainë.
Kryeministri polak Donald Tusk pas një takimi me Macronin në Varshavë tha se vendi i tij nuk po planifikonte të dërgonte trupa paqeruajtëse në Ukrainë pas një armëpushimi të mundshëm.























