Kosova në orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit

Për shkak se më 5 mars në Kosovë shënohet Epopeja e UÇK-së ku përkujtohet Familja Jashari, kryeministri Albin Kurti tha se pas manifestimeve për shënimin e kësaj ngjarjeje, do të vijojnë përpjekjet për presidentin i ri.

By
Kosova në orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit / AA

Kosova ka hyrë në orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri të saj ose një ngërçi të ri politik që çon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare vetëm disa muaj pas atyre të 28 dhjetorit 2025.

Për shkak se më 5 mars në Kosovë shënohet Epopeja e UÇK-së ku përkujtohet Familja Jashari, kryeministri Albin Kurti tha se pas manifestimeve për shënimin e kësaj ngjarjeje, do të vijojnë përpjekjet që të zgjidhet presidenti i ri.

"Urojmë, besojmë dhe shpresojmë edhe për një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën për garë", tha Kurti shkurt sot për mediat, duke folur rreth nevojës që të ketë dy kandidatë për presidentë në mënyrë që të thirret seanca parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka propozuar ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, për president të vendit. Konjufca tha se nëse propozohet një emër tjetër do ta votonte ndoshta edhe vetë ai, por, deri më tani, askush nuk ka propozuar një alternativë të dytë.

"Ka shumë njerëz më të mirë se unë. Ka shumë njerëz më të përgatitur se unë. Le ta propozojnë një. Le ta propozojnë Vjosa Osmanin ose këdo që dëshirojnë. Edhe unë vetë do ta votoj, por ata nuk duan të propozojnë", tha Konjufca.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka mohuar se Lëvizja Vetëvendosje i ka ofruar mbështetje apo nënshkrimet e nevojshme presidentes aktuale Vjosa Osmani për një mandat të dytë.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, duke iu kundërpërgjigjur këtij reagimi tha se LVV-ja është e gatshme t'i sigurojë presidentes aktuale Vjosa Osmani 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim, madje edhe 33, tre më shumë se kandidati tjetër, Glauk Konjufca.

Nga ana tjetër, shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, kritikoi LVV-në, duke thënë se presidentes Osmani i është kërkuar të bëhet vetëm "kundërkandidate formale", në mënyrë që pas dështimit të rizgjedhjes së saj, përgjegjësia përzgjedhje të mundshme t'i hidhet opozitës.

"Nëse dikujt i thoni 'eja veç sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e Glauk Konjufcës', pra, veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t'u rizgjedhur, por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër, në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu", tha Hollaj.

Presidentja Osmani, pas përfundimit të seancës për Epopenë e UÇK-së, është pyetur nga mediat nëse do të kandidohet nga kryeministri Kurti për presidente.

"Është Epopeja e UÇK-së sot, ju lus që bashkërisht ta respektojmë", ka thënë ajo.

Nënkryetarja e partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se PDK-ja e ka bërë pjesën e vet të punës, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të kryeministrit Kurti për ta diskutuar pozitën e presidentit.

"Jemi munduar të ofrojmë zgjidhje mirëpo çfarë është kërkuar nga ne është nënshtrim ndaj vullnetit politik të Kurtit. Ai ka fituar mbi 50 për qind të votave dhe për atë arsye qeveris i vetëm, e udhëheq Kuvendin, mirëpo presidenti i republikës duhet të jetë një grua apo burrë që përfaqëson unitetin qytetar dhe mbi të gjitha i cili, apo e cila do të ishte gardiane e Kushtetutës së Kosovës", tha Çitaku të entjen.

Kurti është takuar të paktën dy herë me kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe tre herë me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, mirëpo palët nuk kanë arritur pajtueshmëri.

Abdixhiku tha të enjten se nuk i takon opozitës të propozojë kandidatë për president derisa është shprehur i bindur se, pas mesnatës, Kosova do të futet në afatet kushtetuese për zgjedhje të reja, për shkak të asaj që ai e quajti "dështim" të institucioneve për të arritur marrëveshje për postin e presidentit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, emërimi i presidentit të ri kërkon mbështetjen e dy të tretave të votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kuorumi për seancën e presidentit arrihet me 80 deputetë të pranishëm në sallë ndërsa nëse në dy rundet e para të votimit i propozuari nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton që ai t'i ketë 61 vota apo shumicën e thjeshtë, për t'u zgjedhur president.