Ministri i Brendshëm i Shqipërisë: Njoftimi i Ambasadës së ShBA-së është standard botëror
Nga komunikimi me përfaqësues të Zyrës së Sigurisë së Ambasadës, Lamallari theksoi se është konfirmuar se ky është një lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera të botës, përfshi edhe të BE-së.
Policia e Shqipërisë prej kohësh ka marrë masa të shtuara sigurie në vendndodhjet që konsiderohen me rëndësi kritike, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, pas njoftimit të Ambasadës së ShBA-së në Tiranë për situatën e sigurisë në vend.
“Shqipëria prej disa kohësh ka marrë masat e nevojshme për vlerësimin e riskut. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese, së bashku me partnerët ndërkombëtarë jo vetëm kanë bërë vlerësimin e riskut por edhe një plan masash lidhur me sigurinë publike në sheshe dhe vendndodhje me rëndësi kritike, pot edhe infrastrukturën kritike në tërësi”, tha Lamallari.
Sipas tij, “Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie shumë kohë më parë, duke marrë në konsideratë zhvillimet në Lindjen e Mesme”.
“Duke marrë parasysh reagimin publik të ambasadës së SHBA-së kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, përfshirë strukturat Antiterror dhe Policinë Kriminale për të më informuar lidhur me masat që kanë marrë dhe komunikimet që kanë pasur me përfaqësues të ambasadës”, tha ministri.
Nga komunikimi me përfaqësues të Zyrës së Sigurisë së Ambasadës, Lamallari theksoi se është konfirmuar se ky është një lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera të botës, përfshi edhe të BE-së.